Procedurat ligjore/Qeveria vonohet me rishikime, buxheti nuk hyn dot në fuqi më 1 janar

0
166

 

 

QE–  Ashpërsimi i masave anti-informalitet nuk ka sjellë efektin e pritshëm në të ardhurat nga taksat

 

Ervin Kaduku

 

Buxheti i vitit të ardhshëm nuk do të hyjë në fuqi më 1 janar, pasi procedurat ligjore nuk janë kryer në afatet e përcaktuara. Ligji i buxhetit u miratua nga Kuvendi vetëm të enjten më 17 dhjetor, ndërkohë që ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe botuar në fletoren zyrtare. Por sipas ligjit të Menaxhimit të Buxhetit, nëse në fillim të vitit të ri nuk ka hyrë në fuqi ligji i Buxhetit të vitit, fondet lëvrohen nëpërmjet një udhëzimi të ministrit të Financave. Kështu fondet e buxhetit të shtetit nuk bëhen operativë që nga 3 janari, çka do të thotë se nuk lëvrohen paratë për shpenzime dhe investime publike. Kjo ndodh pasi dekretimi nga Presidenti i Republikës dhe më pas botimi në fletoren zyrtare i këtij ligji po bëhen jashtë afateve të përcaktuara nga ligji i menaxhimit buxhetor.

Në këtë mënyrë, për të siguruar një proces sa më normal të zbatimit të buxhetit vjetor, ministri i Financave referuar nenit 34 të këtij ligji, sipas të cilit, kur ligji i Buxhetit është i miratuar, por nuk ka hyrë në fuqi, nxjerr një udhëzim për detajimin e fondeve. Sipas udhëzimit, nëpunësi i parë autorizues kryen detajimin e buxhetit vjetor 2016 për të gjitha institucionet e qeverisjes së përgjithshme në sistemin elektronik të thesarit, si dhe me anë të shkresave për të gjitha shpenzimet korente.

Ndërkohë, Drejtoria e Thesarit kryen pagesa vetëm për shërbimin e borxhit, pagesa për shpenzime emergjente spitalore, pagat e punonjësve dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, pagesa për pensionet, ndihma ekonomike dhe pagesa e papunësisë. Ndërsa, të gjitha veprimet e tjera dhe çelja e fondeve do të bëhet pas hyrjes në fuqi të ligjit të buxhetit.

 

Problemi me mosrealizimet

Financat janë sorollatur gjithë këtë vit për të rregulluar shifra për të ardhura e shpenzime, që nuk përputheshin me parashikimet e buxhetit 2015. Në gusht është bërë rishikimi i parë i ligjit të buxhetit të shtetit, ku totali i të ardhurave në aktin normativ është shkurtuar me 4 për qind ose me 16 miliardë lekë, por sipas tabelës fiskale të rishikuar, uljen më të madhe në të ardhurat që duhet të sillnin në buxhet e kanë pësuar tatimet dhe doganat. Në aktin normativ plani i institucioneve kryesore fiskale (DPT dhe DPD) është shkurtuar me 22 miliardë lekë ose rreth 7.6% më pak se, plani fillestar i vitit.

Të ardhura më të pakta u sanksionuan edhe nga TVSH-ja, ku do të arkëtohen me pak se programi i fillim vitit 3% më pak, ose rreth 4 miliardë lekë minus, ndërsa shihet se ulje drastike ka pësuar plani i akcizave, me mbi 6 miliardë lekë ose 13% me pak.

Planit fillestar të buxhetit i janë shkurtuar rreth 3.5 miliardë lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale ose 10 për qind. Shkurtime të forta janë aplikuar edhe për të ardhurat nga taksat nacionale prej të cilave pritshmeritë janë ulur me 7 miliardë lekë ose 16.7% më pak, si rrjedhojë e pritshmërive më të ulëta nga renta minerare (rrjedhojë e koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare).

Me buxhetin e rishikuar për herë të parë, totali i shpenzimeve publike u shkurtua me 3,4%. Ndërkohë, para pak ditësh, qeveria solli në Kuvend një akt të dytë normative, ku ka rishikuar gjithnjë me ulje tavanin e shpenzimeve buxhetore për ministritë dhe institucionet e tjera publike në masën 0.9%. Shkurtimet më të mëdha në vlerë absolute u aplikuan ndaj Ministrisë së Shëndetësisë me 20 milionë dollarë më pak, apo tkurrje prej 7.5%. Që nga fillimi i vitit, buxheti dedikuar shëndetësisë është shkurtuar me 13%. Në buxhetin fillestar fondet për ministrinë e Shëndetësisë ishin planifikuar 34.5 miliardë lekë, në rishikimin e gushtit fondi ra me 32.3 miliardë lekë dhe me rishikimin e dhjetorit fondi ra në 29.9 miliardë lekë. Ulja e fondeve është aplikuar ndaj aparatit të Kryeministrisë me 14% dhe ndaj Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik me -22%. Shkurtime janë bërë edhe ndaj fondit të Ministrisë së Financave me mbi 7%. Shkurtimet janë bërë edhe ndaj institucioneve të pavarura, të tilla si Kontrolli i Lartë i Shtetit, fondet e të cilit u shkurtuan me 8%. Këto rishikime treguan për një performancë tejet të dobët nga ana e administratës fiskale, që nuk u shpëtua dot as nga ndërhyrja drastike, me kërcënime burgimi, ndaj biznesit. Sipas të dhënave zyrtare, në arkën e shtetit mungojnë 222 milionë euro, nga shifra që mendohej të arkëtohej për 2015-ën në dhjetor 2014, kur u miratua ligji për buxhetin e shtetit.

 

Masa kundërproduktive

Ashpërsimi i masave anti-informalitet nuk ka sjellë efektin e pritshëm në të ardhurat nga taksat. Gjatë 11-­mujorit të këtij viti të ardhurat nga akciza janë në vlerën e 35.9 miliardë lekëve, raportohet në të dhënat paraprake të Ministrisë së Financave, ose rreth 4 miliardë lekë më pak se planifikimi. Referuar këtyre të dhënave, rezulton se edhe të ardhurat nga TVSH janë nën nivelin e parashikuar të fillimvitit. Kështu për 11-mujorin e këtij viti, të ardhurat nga TVSH kanë 118 miliardë lekë, ose 4.4 miliardë lekë më pak se plani etj.