Fitimi për herë të tretë i Botërorit të Klubeve mbylli një dekadë të mrekullueshme për Barcelonën. Në 10 vitet e fundit blaugranat kanë qenë pa diskutim skuadra më e mirë në Botë me plotë 26 tituj të fituar gjatë kësaj periudhe. Gjithçka nisi me Ronaldinhon dhe përfundoi me Lionel Messin, i cili konsiderohet edhe si futbollisti më i mirë që ka patur ndonjëherë Barça në të gjithë historinë e saj. Cikli i suksesshëm i Barcelonës filloi pikërisht në sezonin 2004-2005, periudhë kur Barça e Joan Laportës, Frenk Rajikardit dhe brazilianit Ronaldinho fitoi titullin kampion në La Liga. Mesatarja e trofeve të fituar nga klubi katalanas në dekadën e fundit është pothuajse tre tituj për sezon. Nga maji i vitit 2005 deri më sot, Barcelona ka fituar 4 Champions League, 3 Botërore për Klube, 3 Superkupa Evrope, 7 tituj të La Ligas, 6 Superkupa të Spanjës dhe 3 Kupa të Mbretit. Pas ciklit të shkurtër fitues me Ronaldinhon, të cilin presidenti aktual i Barçës, Josep Maria Bartomeu, pak ditë më parë e konsideroi si futbollistin që e bëri Barcelonën një klub global, nise epoka e artë e Pep Guardiolës dhe Leo Messit me këtë të fundit që vazhdon të shkëlqejë edhe sot. Argjentinasi ka fituar gjithçka me skuadrën e tij të zemrës, edhe pas largimit Guardiolës për te Bayerni. Dy trajnerë të tjerë fitues të kësaj Barçe magjike janë edhe i ndjeri Tito Vilanova dhe Luis Enrique. Periudha 2005-2015 do të mbahet mend gjithmonë në futboll si epoka e shkëlqimit të Barcelonës që në këto 10 vite bëri miliona tifozë në të gjithë botën të dashurohen me të.