Gjithmonë në mbështetje të skuadër dhe të gatshëm të mbushin tribunat në Signal Iduna Park. Pavarësisht paraqitjeve me ulje dhe ngritje të verdhezinjve, kualifikimit të munguar në Champions dhe ndryshimit në stol, ku Klopp i la vendin Tukel, mbështetja e tifozëve ndaj skuadrës nuk rreshti për asnjë moment. Konfirmimi vjen nga shifrat e jashtëzakonshme të publikuara nga Borussia e Dortmundit. Sipas të dhënave zyrtare, në “Signal Iduna Park” kanë qenë të pranishëm afro 1 milion e 900 mijë tifozë gjatë vitit kalendarik 2015. Një shifër rekord, që u shoqërua me falënderimin e klubit në faqen zyrtare për tifozët. Sipas Borussias së Dortmundit, prezenca e rreth 1,9 milionë spektatorëve në 25 ndeshje të luajtura në shtëpi është një statistikë e pabesueshme. Biletat në “Signal Iduna Park”, që me kapacitet 81,359 spektatorë është stadiumi më i madh në Gjermani, janë shitur të gjitha në 18 raste. Mbështetja kaq e madhe nga tifozët u shoqërua edhe nga mirënjohja e shefit ekzekutiv të klubit, Hans-Joachim Watzke, i cili theksoi se “do të ishte e pamundur që në mungesë të mbështetjes nga publiku, ekipi ta kalonte ecurinë e dobët të edicionit të kaluar”.