Për shkak të evidentimit të shkeljeve në tre tendera, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar për ndjekje penale ish-Zëvendësdrejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Blerta Kraja. Përmes një njoftimi për shtyp, KLSH bëri me dije se nga auditimi në fushën e prokurimeve në DPD, u konstatuan të meta dhe mangësi, konkretisht në tenderat “Blerje Uniforma Doganore”, “Blerje Biçikletash” si dhe “Riparim i skanerit Mobil THSCAN me rreze X”, të cilat konsistojnë në prokurime të panevojshme, apo edhe në mospërdorim me eficencë dhe ekonomicitet të fondeve në dispozicion të DPD për investime
duke shkaktuar një dëm rreth 5 milionë lekë.
“Mbi bazën e këtyre konstatimeve KLSH me shkresën dhe numër 510/30 dhe datë 04.12.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë indicie (të dhëna) për hetime të mëtejshme penale për ish-zv. Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, për veprën penale të ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’”, deklaron KLSH.
Biçikletat
Urdhri i brendshëm për ngritjen dhe përbërjen e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, sipas KLSH, është firmosur nga i njëjti person, që në cilësinë e kryetarit të autoritetit kontraktor (në mungesë), ka urdhëruar veten për të qenë kryetar i KVO, pra njëherazi dy funksione, veprime këto në kundërshtim me kreun VI, pika 1 shkronja a të VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”. “Në cilësinë e titullarit të Autoritetit Kontraktor, ka urdhëruar kryerjen e prokurimit, në kushtet kur shpenzimet janë të pa justifikuara ligjërisht dhe pa efektivitet në raport me rezultatet përfundimtare dhe objektivat e vendosura. Ky lloj produkti nuk mund të shërbejë në asnjë nga departamentet, drejtori apo degë doganore, pasi nuk lidhet drejtpërdrejt dhe nuk gjen zbatim me rregullat e detyrat funksionale të tyre. Ky produkt i prokuruar nuk i shërbeu asnjëherë qëllimit të tij dhe aktualisht i ka kaluar Ministrisë së Brendshme, duke vërtetuar mungesën e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit të tij, ndërkohë që kjo para publike mund të ishte përdorur në nevoja më të rëndësishme që ka DPD”, thekson KLSH. Nga auditimi i procedurave të prokurimit u konstatuan gjithashtu të meta dhe mangësi në shkelje të dispozitave ligjore dhe nënligjore për prokurimin publik, e kryesisht në tenderat me objekt: “Blerje Uniforma Doganore” është kërkuar dhe përzgjedhur procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, në kushtet kur nuk ka një ngjarje të paparashikueshme nga ana e Autoritetit Kontraktor, si dhe duke mos qenë në kushtet e emergjencës.
6 doganierë
Po ashtu, nga auditimi i kryer në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për periudhën e vitit 2014, në Drejtorinë e Kontrollit pas zhdoganimit, u konstatuan të meta e mangësi në zbatimin e legjislacionit doganor, procedurave të zhdoganimit, mbikëqyrjes së regjimeve ekonomike si dhe nxjerrjes së vendimeve administrative, të cilat kanë sjellë si pasojë dëm ekonomik (detyrim doganor i munguar) në Buxhetin e Shtetit në shumën 127.4 milion lekë, (rreth 1 milion dollarë), të konstatuara në Degën Doganore Berat. Mbi bazën e këtyre konstatimeve, KLSH, me shkresën Nr. 510/31, datë 04.12.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat kallëzimin penal për E.P. ish-Kryetar dhe dy doganierë A.H. dhe Dh.XH. të Degës Doganore Berat, si dhe për tre specialistë F.O., R.K. dhe E.P. në sektorin e kontrollit të regjimeve doganore në DPD, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, thotë KLSH.