Qeveria shqiptare është përfshirë në një nga lapsuset më të rënda zyrtare kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar ka miratuar një buxhet me shifra të pasakta. Syri.net zbardh të plotë skandalin përmes të cilit buxhetit të shtetit ju “fshinë” gati 100 milionë dollarë nga shifra e shpenzimeve.
Bëhet fjalë për Aktin Normativ, përmes të cilit qeveria ndryshoi buxhetin e shtetit për vitin 2015, duke bërë një sërë alokimesh kryesisht tek investimet. Akti u miratua nga Këshilli i Ministrave në datën 11 dhjetor. Më konkretisht në nenin 2 të tij, shpenzimet për detyrimet e prapambetura janë miratuar 8.5 miliardë lekë, kur shifra reale e tyre është 18.5 miliardë lekë. Gafa është edhe më e rëndë pasi buxheti i ndryshuar i është përcjellë Parlamentit për votim, po me shifra të pasakta siç dëshmojnë dokumentet zyrtare të Kuvendit.
Vendim i posaçëm
Janë dashur plot dhjetë ditë që Ministria e Financave dhe Këshilli i Ministrave të kuptojnë se Buxheti i Shtetit është miratuar me shifra të pasakta. Ndaj është dashur një vendim i posaçëm për të korrigjuar shifrat e votuara gabim. Më konkretisht në fletoren e fundit zyrtare është botuar një seksion përmes të cilit korrigjohet shifra e nenit 2 të buxhetit dhe nga 8.5 miliardë bëhet 18.5 miliardë.
Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Financave dhe Qeveria miratojnë akte juridike të rëndësishme me gabime thelbësore, si ky me buxhetin e shtetit, përmes të cilit u raportuan 100 milionë dollarë më pak shpenzime.