Totozani: Të mbahet në konsideratë thirrja që Parlamenti e BE-së, në kuadër të të pastrehëve, që nxit shtete anëtare për të hartuar plane emergjente në stinën e dimri
Avokati i Popullit, Igli Totozani, u ka dërguar një rekomandim të gjithë kryetarëve të bashkive dhe ministres së Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, për marrjen e masave organizative për përgatitjen e vendstrehimeve apo vend-qëndrimeve provizore për grupe në nevojë emergjente, që kërkojnë ndihmë nga organet e pushtetit vendor. Sipas rekomandimit të Avokatit të Popullit është e nevojshme marrja e masave të tilla me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e kësaj kategorie. “Institucioni i Avokatit të Popullit në mënyrë të vazhdueshme i ka kushtuar një fokus të veçantë objektivës sociale të strehimit, jo vetëm si një objektivë e parashikuar në Kushtetutë dhe akte ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë, por edhe për faktin se bën pjesë në të drejtat themelore të njeriut, duke e lidhur ngushtësisht me familjen”, – thuhet në rekomandim. Sipas Totozanit edhe pse aktualisht ka një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore që rregullon këtë objektivë sociale, realitetit tregon se strehimi mbetet një nga çështjet më të mprehta sociale për shkak se zbatimi i ligjit dhe përfitimi nga kjo e drejtë, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me mundësitë e përfitimeve konkrete të shtetasve dhe që lidhet me kapacitete financiare që kanë në dispozicion njësitë e qeverisjes vendore për aplikimin e programeve të tilla. “Duke ju referuar numrit të konsiderueshëm të ankesave të paraqitura pranë Institucionit të Avokatit të Popullit, kemi konstatuar se ka një numër të konsiderueshëm familjesh të cilat sot po përballen me nevoja ekstreme për të siguruar një vendstrehim në kushtet edhe të pamundësisë totale të pagesës dhe përfitimit nga një prej programeve sociale të strehimit që ofrohen aktualisht. E drejta për strehim është pjesë integrale e të drejtave ekonomike, sociale, dhe kulturore brenda instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në një pozitë të ngjashme me të drejtat civile dhe politike”, – theksoi Totozani.
Nevoja për plan emergjent për të pastrehët
Gjithashtu ai sugjeron që duhet të mbahet në konsideratë thirrja që Parlamenti e BE-së, i bën Komisionit për të zhvilluar një përkufizim evropian në kuadër të të pastrehëve, duke nxitur shtetet anëtare për të hartuar plane emergjente në stinën e dimrit, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të pa strehët, me qëllim garantimin e të drejtave për përmbushjen e nevojave bazë materiale të personave në situata në vështirësi ekstreme.
Duke mbajtur në konsideratë edhe kushtet e vështira klimaterike në të cilat pritet të përballemi në muajt në vijim, temperaturat e ulëta veçanërisht në zonat malore, Avokati i Popullit gjykon si tepër emergjente marrjen e masave në ndihmë të kategorive të popullsisë, të cilët realisht janë në pamundësi totale të sigurimit të një vendstrehimi, me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre veçanërisht të fëmijëve e të moshuarve, duke mos lënë pa përmendur edhe raste nga vitet e mëparshme të cilat fatkeqësisht kanë çuar në humbje të jetëve njerëzore. Për këto arsye, Totozani rekomandon marrjen e të gjitha masave organizative për përgatitjen e vendstrehimeve apo vendqëndrimeve provizore për grupe të tilla në nevojë emergjente dhe këdo tjetër që kërkon ndihmë nga organet e pushtetit vendor me qëllim parandalimin e situatave që mund të rrezikojnë jetën apo shëndetin e tyre.