– Ndërmjet presionit të Strasburgut dhe të pamundësisë së përmbushjes së detyrimit, qeveria shqiptare në ligjin e ri ka gjetur një formulë kompensimi, që rëndon tërësisht në kurriz të ish-pronarëve
Ervin Kaduku
Çështja e të drejtës së pronës mbetet një nga më të nxehtat në vend. Edhe pse tentativat për kthimin e asaj që u takon ish-pronarëve kanë nisur herët, legjislacioni, në vend që të ofrojë zgjidhje, më shumë ka qenë kontradiktor. Të paktën kështu e gjykon kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Deklaratat kryegjyqtari i bëri gjatë prezantimit të botimit të vendimeve të lidhura me çështjen e pronësisë nga viti 1993 deri në vitin 2015 nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kjo, sipas Zaganjorit, do të shërbejë si një manual dhe konsultim për aktorë të ndryshëm, si brenda Gjyqësorit, ashtu edhe jashtë tij. Legjislacioni që garanton të drejtën e pronës në vendin tonë ka qenë kontradiktor dhe si i tillë ka mbartur me vete zvarritjen e kompensimit. Për kryetarin e Gjykatës së Lartë ka qenë pikërisht kjo arsyeja e situatës që kemi sot.
Ligjet
Legjislacioni aktual mbi pronësinë është ndryshuar shpesh, të paktën shtatë herë gjatë periudhës 2004-2010. Gjykata e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka analizuar për qeverinë shqiptare se kompleksiteti i dispozitave legjislative, ndryshimet e shpeshta të tyre, do të kontribuojnë në mënyrë të pashmangshme në një mungesë të përgjithshme të sigurisë juridike. Në përfundim, GJEDNJ konkludon se “duke marrë parasysh natyrën joefektive të sistemit aktual të kompensimit, pa cenuar zhvillimet e mundshme të ardhshme në lidhje me mekanizmin e kompensimit, çmon të arsyeshme t’u japë ankuesve një shumë që do të përfaqësonte një zgjidhje përfundimtare dhe shteruese të ankimeve të tyre”. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i la një afat 18-mujor shtetit shqiptar për të marrë këto masa lidhur me zbatimin e detyrave të specifikuara në këtë vendim pilot, duke pezulluar gjatë kësaj periudhe të gjithë vendimmarrjen e kësaj gjykate në lidhje me kërkesat e dërguara për çështjen e kthim/kompensimit nga shtetasit shqiptarë. Në muajin nëntor 2013, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) mori përsipër zbatimin e rekomandimeve të GJEDNJ-së, të masave të përgjithshme të dhëna në vendimin pilot të sipërcituar, dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dërguan për miratim Vendimin e Këshillit të Ministrave VKM/2014 “Planin e veprimit mbi zbatimin e Vendimit Pilot ‘Manushaqe Puto’ etj., kundër Shqipërisë”. Plani i Veprimit parashikonte në përmbajtje të tij ndërmarrjen e disa proceseve administrative si dhe reformën ligjore dhe institucionale në fushën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Referuar këtij plan-veprimi dhe bazuar në vendimin pilot të GJEDNJ, pas konsultimeve me ekspertë të KiE, Bankës Botërore dhe IOM, si dhe bazuar në praktikën e trajtimit të çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave nga Gjykata Kushtetuese, qeveria pretendon se ligji më i fundit për trajtimin e pronave e zgjidh problemin në mënyrë shteruese, edhe pse duke i dhënë zgjidhje të pjesshme kompensimit të ish-pronarëve.
Vendimet
Duke iu referuar raportimit që Ministria e Drejtësisë ka bërë në Kuvend, numri total i vendimeve të marra gjatë procesit të kthimit dhe kompensimit të pronës në periudhën 1993 – 2013 është rreth 53 mijë. Sipërfaqja totale e njohur me këto vendime është 186,823 ha tokë. Vendimet që janë marrë përgjatë viteve 1993-2013, kanë njohur të drejtën e kthimit fizik për 74,420 ha. Vendimet që janë marrë përgjatë viteve 1993-2013, kanë njohur të drejtën e kompensimit për 73,400 ha tokë. Referuar vendimeve të cilat janë kompensuar financiarisht nga fondet e kompensimeve financiare për vitet 2005-2014 rezulton vetëm 15.9 ha tokë. Me këtë formë, Ministria e Drejtësisë sqaron se, është arritur të shlyhet një pjesë e pronarëve me kompensim për një pjesë të truallit 200 – 500 m² (në varësi të sipërfaqes së njohur për kompensim) dhe, sipas rendit kronologjik të vendimmarrjes, ka arritur deri në vitin 1994. Ndërsa për tokën bujqësore, nuk ka filluar asnjë procedurë kompensimi. Duket qartë se formula e përdorur për kompensimin e ish-pronarëve nuk është efektive. Në periudhën 2005-2014 janë kompensuar pjesërisht vetëm 900 vendime për kompensim (nga 200-600 m²) vetëm të zërit kadastral truall me një vlerë prej 4.1 mld lekë në total, ndërkohë që projektligji i ri synon që fondi i vënë në dispozicion për 10 vjet, me këtë projektligj, bëhet i detyrueshëm për t’u dhënë vetëm në një vit. Sipas të dhënave statistikore të mësipërme, rezulton se nëse do të vazhdohej të kompensohej me metodologjinë e pjesshme të ndjekur deri më tani, me ritmin e deritanishëm, ku në 10 vjet proces kompensimi financiar është realizuar kompensimi për 16 ha tokë, do të duhej të paktën 4588 vjet për kompensimin e së gjithë sipërfaqes së njohur për kompensim prej 73,400 ha.
Buxheti
Është vështirësia gjigante financiare ajo, që po detyron qeverinë shqiptare të futë në procedurë të përshpejtuar zgjidhjen e këtij problemi. Faturat mbi 47 milionë euro të paguara dhe në proces nga buxheti i shtetit dhe 550 milionë eurot që priten nga 106 vendimet që janë në proces në Gjykatën e Strasburgut kanë vënë në dilemë aftësinë paguese nga fondet qeveritare. Sipas Avokaturës së Shtetit, 106 çështje që janë në pritje të shpalljes së vendimit, që i përkasin periudhës pas vitit 2014, kanë një vlerë prej 556.524.809 euro, shumë kjo sa 22% e të ardhurave të pritshme për 2015 të buxhetit vjetor të shtetit. Po sipas Avokaturës së Shtetit, gjithsej janë ekzekutuar 19 vendime nga viti 2006 me një vlerë 18.295.547 euro, 2 vendime janë në ekzekutim me një vlerë prej 5.412.800 euro. Ndërsa nga çështjet që janë në gjykim (14 çështje në pritje të shpalljes së vendimit), që i përkasin periudhës para vitit 2014, kanë një vlerë prej 24.000.000 eurosh.
Burimet zyrtare në Ministrinë e Financave pohuan se ligji i ri “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, midis çështjeve të tjera që rregullon, siguron edhe një zbutje të faturës financiare për buxhetin e shtetit, duke e bërë atë të përballueshme. Nga ana tjetër, miratimi i këtij ligji do të sjellë edhe eliminimin e riskut fiskal në buxhet nga vendimet e GJEDNJ Strasburg, për çështjet që lidhen me pronat.
Në dy vitet e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka vlerësuar faturat e Strasburgut për kthimin e pronave, si rrezikun më të madh fiskal që i kanoset vendit. Nga një anë, vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për zbatim dhe në rast se ndodh e kundërta, fatura shtohet edhe më shumë nga kamatëvonesat. Nga ana tjetër, buxheti i shtetit në kushtet që është sot nuk mund të atribuojë një të tretën e tij për të kompensuar ish-pronarët pasi rrezikohen nevojat bazike të të gjithë shtetasve. Në këtë situatë, ndërmjet presionit të Strasburgut dhe të pamundësisë së përmbushjes së detyrimit qeveria shqiptare në ligjin e ri ka gjetur një formulë kompensimi që rëndon tërësisht në kurriz të ish-pronarëve.