Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael u takua edhe me Presidentin Reuven Rivlin dhe Kryetarin e Parlamentit Yuli-Yoel Edelstein, me të cilët diskutoi mbi sfidat e përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm, por edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e energjisë, turizmit dhe bujqësisë. Të dy autoritetet e larta izraelite, njësoj si edhe Kryeministri Netanyahu shprehën mirënjohjen e thellë për humanizmin e treguar nga shqiptarët gjatë Holokaustit, duke marrë në mbrojtje e duke mos lejuar dorëzimin e asnjë hebreu gjatë pushtimit nazist. Kryeministri Rama zhvilloi edhe një takim me liderin e opozitës Herzog, si edhe u prit në Bashkinë e Jeruzalemit nga Kryetari i Bashkisë Nir Barkat. “Ne jetojmë në një vend ku ka komunitete të ndryshme fetare, të cilat kanë një marrëdhënie shumë të veçantë midis tyre. Ndaj është shumë pozitive për ne që të ndajmë me ju këtë eksperiencë dhe të dëgjojmë edhe eksperiencën tuaj”, – u shpreh kryeministrit shqiptar.