Emërimet në administratë, problematika kryesore mes strukturave socialiste dhe qendrës së PS-së në Tiranë
Gëzim Saliu
Pas disfatës në zgjedhjet lokale si edhe konflikteve të lindura pas kësaj gare, dega e PS-së në Shkodër duket e përçarë dhe e mbushur me problematika. Takimi i radhës i Asamblesë së Partisë Socialiste në këtë qytet u përfshi sërish nga debatet e ashpra, ku në qendër të tij ishin ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili është i deleguar i PS-së për këtë qark dhe ish-drejtuesit e strukturave socialiste të Shkodrës. Që prej ndryshimeve në strukturat drejtueses si edhe vendimmarrjes së kryeministrit për të deleguar në këtë qytet si koordinator Bushatin, debatet dhe kritikat kanë qenë pjesë e mbledhjeve të strukturave socialiste. Edhe para zhvillimit të zgjedhjeve lokale, dega e PS-së Shkodër u duk e përçarë në mbështetjen e kandidaturës së Keti Bazhdarit, gjë e cila solli ndikimin e saj edhe në rezultatin final. Nga njëra anë qendra në Tiranë përmes ministrit Bushati fajëson ish-drejtuesit për rezultatet e dobëta, ndërsa struktura lokale shpreh një sërë kritikash për vendimmarrjet e PS-së në Tiranë. Problematika kryesore mes palëve duket se është punësimi në administratë, pasi socialistët e Shkodrës kanë bërë të ditur se ka një ndarje të padrejtë të kuotave, ku sipas tyre në punë në shtet janë më së shumti njerëz të LSI-së dhe PD-së. Kjo ka qenë edhe tematika më e nxehtë e PS-së Shkodër, e cila është pranuar edhe nga deputetët socialistë të zonës. “Absolutisht që një pjesë e emërimeve në administratë nuk janë kryer për shkak të kontributeve të nivelit profesional dhe cilësisë së tyre, është për shkak të njohjeve. Kjo do të rishikohet”, – ka pohuar pak kohë më parë deputeti i PS-së Paulin Stërkaj.
Debati
Në mbledhjen e Asamblesë me dyer të mbyllura për mediat mësohet se ministri Bushati akuzoi ish-kryetarin e PS-së, Luan Heta, për punë të dobët në zgjedhjet e 21 qershorit. Nga ana e tij, Heta i është kundërpërgjigjur Bushatit duke theksuar se puna është kryer më së miri, por nuk kanë funksionuar hallka të tjera. Më pas kanë ndërhyrë edhe ish-kryekomunari i Temalit, Mark Zhuri, i cili i ka kujtuar Bushatit që t’u hedhë një sy emërimeve në administratë ku të gjithë sipas tij janë emërime të LSI-së dhe PD-së, ndërsa përkrahësit e PS-së janë të papunësuar. Ndërkaq pas takimit, koordinatori i rajonit Shkodër – Lezhë, Ditmir Bushati ka deklaruar se ka qenë një mbledhje rutinë, ndërsa debatet i ka cilësuar si gjëra normale që shëndoshin partinë socialiste. Pritet që në këtë degë të zhvillohen së shpejti edhe zgjedhjet, ku ashtu siç kishte pohuar në mbledhjen e kaluar problemi kryesor i socialistëve në këtë qytet është mbështetja e pakët në elektorat pas dy vite e gjysmë qeverisje. “Jemi pak dhe duhet të rritemi në numër e të mos krijojmë situatë grupazhesh. PD-ja ishte në ditën më të keqe dhe nuk mundëm të fitonim, duhet të bashkohemi. Faza e dytë janë zgjedhjet në parti. Duhet të përfshijmë më shumë njerëz, edhe ata që humbën në zgjedhje. Dyfishim i PS-së është prioritet, jo të shkojmë në zgjedhje dhe të bëjmë lojën e zakonshme me paracaktim të drejtuesve”, – ishte shprehur në mbledhjen e kaluar Bushati.