Vrasësi i dy vëllezërve në Shkodër, Aleksandër Dushaj ka shokuar me dëshminë e tij para oficerëve të policisë gjyqësore. Ai tha para hetuesve se do të vriste edhe vëllain e tretë nëse do të kishte mundësi dhe nuk ka shprehur aspak pendesë për krimin e dyfishtë.
“Nuk jam penduar për vrasjen e dy vëllezërve Shkambi. Nëse do të kisha mundësi do të vrisja edhe vëllain e tretë”, ka thënë ai para oficerëve të policisë.
Më 2 Janar 2016, 31-vjeçari vrau në Shkodër me breshëri kallashnikovi dy vëllezërit Abdulla dhe Skënder Shkambi, pasi nuk e pranuan atë si dhëdër. Dushaj kërkonte të martohej me vajzën e Skënder Shkambit, por ky i fundit nuk pranoi t’i jepte vajzën për nuse dhe e kishte dërguar në Angli për ta mbajtur larg 31-vjeçarit.
Pas ngjarjes së rëndë, Dushaj u arratis nëpër male dhe prej dy ditësh kërkohej nga policia, kurse dje u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës, pasi ishte pikasur në sheshin ‘Shqiponja’ në kryeqytet. Në deklarimet e tij, ai u shpreh se kishte frikë për jetën e tij në Shkodër, prandaj u dorëzua në kryeqytet.