Basha: Media e lirë dhe opozita janë në një varkë , 2015-ta i mbrapshtë për median, u kërcënuan gazetarët e mediat

0
143

luuKreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha i pranishëm në ceremoninë e 25-vjetorit të themelimit  të gazetës Rilindja Demokratike shprehu mirënjohjen pasi sipas tij shënoi edhe ditën e shtypit të lirë.

“Prania jonë në 5 janar lidhet me RD­-në. Gazeta e parë e lirë, që shënoi edhe ditën e shtypit të lirë në Shqipëri. Ne jemi këtu për të nderuar një moment të jashtëzakonshëm në historinë e këtyre viteve që lidhet me 2 momente të tjera. Duke iu referuar nderimit, më lejoni të shpreh respektin tim për të gjithë ata që kontribuuan në rilindjen e fjalës së lirë, RD dhe që kontribuuan për ta mbajtur edhe në ditët e sotme. RD i hapi rrugë lirisë së shprehjes, lirisë së fjalës. Emocioni i asaj dite kur doli gazeta është i njëjtë me dhënien e biletave falas për kampionatin evropian. Në këtë 25­vjetor të gazetës së guximtarëve të parë, kam kënaqësinë të pohoj diçka që qëndron me gjithë kritikat e artikuluar këtu sot që janë të pakrahasueshme me ato që jeni mësuar të dëgjoni në oborrin qeveritar. RD mbetet një nga virtytet më të çmuara të gazetarisë shqiptare”, tha Basha.

 

Sipas tij, ‘Viti 2015 një vit i mbrapshtë për median e lirë dhe lirinë e medias, viti kur qeveria u investua për mbylljen e një TV si Agon Channel, kur kërkoi kriminalizimin e shpifjes, kur kërcënoi me gjoba mediat, kur kërcënoi gazetarin Artan Hoxha. Viti kur reporterëve të opozitës, iu desh të përballen me djegie të makinës siç ishte rasti në Burrel, një vit me bilanc të thellë negativ’.

“Prodhim i një njeriu që e quan kënetë mediatike, por që paguan miliona dollarë për zyrë propagande. Ne kemi një qeveri të korruptuar, të inkriminuar dhe të mbrapshtë, por kemi një komunitet gazetarësh të ndershëm e kurajozë, që nuk tremben, nuk blihen e as nuk joshen. Ndonëse qeveria vazhdon të investojë që ta vërë në gjumë shtypin e lirë, ta komandojë e ta asgjësojë dhe për të ngritur në sistem krimin e lidhur me qeverinë, për të rritur korrupsionin dhe për të shitur shqiptarëve sapunin për djathë. Kjo qeveri e ka të vërtetën kundër saj e për rrjedhim e konsideron edhe shtypin armik. PD dhe unë personalisht e çmojmë lart këtë kontribut, e inkurajojmë këtë shembull, e mbështesim këtë kulturë evropiane të shtypit të lirë. Këtë kontribut e çmojnë edhe qytetarët shqiptarë. Media e lirë dhe opozita janë në një varkë, varkën e denoncimit dhe të shpalosjes së të vërtetës. Këtë radhë varka është më e fortë se vitin e kaluar.”- Tha Basha.