Vjollca Shkëmbi, 24-vjeçarja nga fshati Pojan, nënë e një vajze 2-vjeçare ka marrë guximin t’i japë fund prostituimit të saj, duke denoncuar tutorët të cilët e kanë shitur atë në mënyrë të përsëritur në Maqedoni për vlera nga 400-700 euro.
Blerësit, kryesisht të moshuar, janë mashtruar nga premtimet për martesë duke bërë pazare me jetën e të resë, ndërsa një javë më parë, kur policia zbuloi rastin duke arrestuar dy persona, Urim Qazimaj dhe Mersin Myrtollari, 24-vjeçarja përgënjeshtroi gjithçka.
Tashmë, Vjollca tregon se përgënjeshtrimin e ka bërë nën kërcënimin e thikës dhe nën presionin e Qazimit, babait të njërit prej të arrestuarve, Urim Qazimajt, ndërsa është mbajtur peng për një javë prej tij dhe disa të afërmve të tjerë.
Nëna e re, pasi ka mundur t’i shpëtojë tmerrit që po jetonte, është strehuar në banesën e prindërve të saj, por Qazim Qazimaj, babai i Urimit, edhe atje ka guxuar të shkojë dhe ta kërcënojë, ndërsa 24-vjeçarja ka sinjalizuar policinë.
E pambrojtur dhe e dhunuar, e reja kërkon ndihmën e shtetit, pasi i trembet asaj që mund t’i ndodhë.
Një javë më parë, Policia e Korçës arrestoi dy persona pasi dyshohet se kishin rrëmbyer 24-vjeçaren për qëllime prostitucioni. Urim Qazimaj dhe Mersin Myrtollari, sipas verifikimeve të policisë, kishin shitur disa herë 24-vjeçaren dhe sërish do ta shisnin atë në Maqedoni për qëllime prostitucioni, ndërsa të hënën policia vuri në pranga edhe babain e Urimit, Qazim Qazimajn, pasi dyshohet se ai ka mbajtur në banesën e tij forcërisht 24-vjeçaren, me qëllim që ajo të përgënjeshtronte kallëzimin ndaj të birit dhe ai të dilte nga burgu.