Disa parashikime për vitin 2016/Nga zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe Rusia militare, te Olimpiket në Brazil

0
161

60

2016-ta  është viti i “Majmunit të zjarrit”, sipas traditës kineze. Këtë vit Shtëpia e Bardhë do të ketë një president të ri; konflikti në Lindjen e Mesme pritet të vazhdojë të dominojë, ndërsa në Rio de Zhaneiro atletët do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike të 2016-ës.

Gara presidenciale në SHBA

Tashmë dihen pretendentët të cilët shpresojnë të bëhen një ditë president të Shteteve të Bashkuara. Por është ende herët të thuhet se cili do të marrë emërimin e Partisë Republikane për kandidat presidencial. Një gjë është e qartë: me Donald Trumpin në mesin e kandidatëve, kjo është gara presidenciale më e paparashikueshme dhe më e ndjekur në Shtetet e Bashkuara prej dekadash. Leonard Steinhorn, profesor në Universitetin Amerikan në Uashington, thotë se nuk është e qartë se cilin kandidat kanë për të zgjedhur republikanët. “Në se ka për të qenë Donald Trump, apo Ted Cruz, dy personat më të mundshëm tani për tani, bazuar tek anketat, atëhere do të kemi një liberal shumë klasik kundrejt një një konservatori të patundur. “Steinhorn thotë se ndryshimet demografike kanë sjellë më shumë grupe etnike dhe të rinj me të drejtën e votës dhe që mbështesin demokratët. Por, a do të përfundojë udhëtimi i Hillary Clintonit nga Zonjë e Parë në  Sekretare Shteti në një intervistë vendimtare perfekte? Clinton kryeson garën e demokratëve, me dy kandidatë të tjerë, por ajo do të duhet t’i përgjigjet shqetësimit të votuesve për ekonominë, vendet e punës dhe sigurinë kombëtare. Prof. Steinhorn thotë se rezultati i zgjedhjeve do të përcaktohet nga fakti se cila parti do t’i mobilizojë më tepër njerëzit të dalin në votime. Ai parashikon me intuitë se Clinton mund t’i fitojë zgjedhjet në se republikanët emërojnë Trump-in, ose Cruz-in. Zgjedhjet presidenciale janë në plan të mbahen më 8 nëntor 2016. Politika e jashtme mund të jetë një çështje e mprehtë.

Ku do shkojë Rusia?

Gjatë 2015-ës Rusia evidentoi fuqinë e saj ushtarake, me fushatën e bombardimeve kundër militantëve në Siri, që e filloi më 30 shtator. Vëzhguesit e akuzojnë Rusinë se i përdor sulmet për të ndihmuar aleatin e vet, regjimin e Asadit, dhe se ka shkaktuar vdekjen e një numri të madh civilësh. Por Rusia e mohon këtë, duke thënë se po vihen në shënjestër objektivat e grupit Shteti Islamik, për të mos patur dëme të tjera. Drejtori i Qendrës “Carnegie Centre” për Moskën, Dmitri Trenin ndjek nga afër përfshirjen e Rusisë në zhvillimin e konfliktit sirian. Ai paralajmëron se misioni i Rusisë mund të përhapet edhe në Irak. “Arsenali ushtarak atje nuk është vetëm për t’u dukur. Mendoj se zoti Putin ja ka bërë të qartë të gjithëve se ai është njeri i veprimit. “Ky arsenal përfshin kryqëzorin raketëmbajtës të marinës ruse Moskva, që u vendos në portin e Latakias në nëntor. Rusia i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta mbështesë qeverinë e presidentit sirian Bashar Assad dhe se përparimi i regjimit në luftën kundër rebelëve do të jetë çështje e rëndësishme gjatë 2016-ës. Ky rol i dukshëm në konflikt e vë pikëpamjen e Vladimir Putinit për botën përballë me atë të presidentit amerikan Barack Obama, i cili këmbëngul se për t’i dhënë fund luftës së gjatë civile në Siri duhet që Assad të largohet nga pushteti. Analisti Trenin thotë se Putin nuk ka një plan specifik për të rindërtuar botën dhe për të minuar supremacinë e Shteteve të Bashkuara. “Është e qartë se ai nuk ka kohë të merret me supremacinë amerikane, vërtet që ai do fundin e saj, por kjo nuk do të thotë se e ka një plan për komplote,”- thotë analisti. Konflikti në Ukrainën Lindore mbetet i paqëndrueshëm në prag të Vitit të Ri. Ka patur akuza se marrëveshja e amrëpushimit e 1 shtatorit është shkelur, si nga forcat ukrainase, edhe nga ato rebele. Ndërkohë, Rusia e ka çimentuar lidhjen e saj me Gadishullin e Krimesë, të cilin ajo e aneksoi në mars të vitit 2014. Presidenti Putin u prit me ngrohtësi gjatë vizitës së tij në Sevastopol në gusht të 2015-ës. Analisti Trenin thotë se Marrëveshja e Minskut që synonte t’i jepej fund luftimeve në Ukrainën Lindore, mund të prishet në se ndonjëra nga palët fillon një ofensivë taktike.

Ditë të vështira për Pekinin

Banorët e Pekinit vuajtën në fund të vitit nga nivelet e larta të ndotjes së ajrit dhe duket se ditë më vështira po vijnë. Dong Yilin, njohës i mirë i Yi-Ching-ut, librit klasik kinez “Libri i Ndryshimeve” dhe parashikues i fatit, studion prej vitesh zodiakun kinez. Çdo vit, në kalendarin hënor kinez 12-vjeçar, i cili përdoret prej mbi 2 mijë vjetësh, përfaqësohet nga një kafshë. Dong thotë se 2016-a është viti i “majmunit të zjarrit”. “Sipas një tradite kineze, ky është viti i “Bing-Shen-it”. “Bing” është zjarri i Diellit, i jashëzakonshëm dhe drastik. Shen do të thotë flori; prandaj “Bing-shen” do të thotë se zjarri po shkrin floririn. Sipas një gojëdhane të vjetër kineze, “floriri i vërtetë i reziston shkrirjes nga zjarri.” Pra, për të gjithë botën, dhe jo vetëm për Kinën, viti 2016 nuk do të jetë një vit ideal. “Dong thotë se situata ekonomike e Kinsë nuk do të jetë e mirë në vitin 2016, për shkak të mungesës së investimeve. Ai parasheh gjithashtu mundësinë e fatkeqësive natyrore për shkak të thatësirës së madhe.

Brazili dhe lojrat Olimpike

Brazili fillimisht mësoi se do të jetë organiztaori i Olimpikeve të 2016-ës, në Lojërat e Olimpike të 2009-ës. Brazilianët e festuan lajmin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, gjatë gjithë natës,  në plazhin Copacabana. Kryetari i Bashkisë së Rio de Janeiros, Eduardo Paes, thotë se ishte momenti i duhur për qytetin e tij që të fitonte Çmimin Olimpik. Familjet që jetojnë pranë Pakrut Olimpik i kanë bërë rezistencë evakuimit, megjithëse shumë shtëpi dhe biznese janë shkatërruar tashmë, për t’i hapur rrugën infrastrukturës së nevojshem për mbajtjen e Olimpikeve. Kryetari i Bashkisë Paes thotë se të gjitha këto ndryshime ja vlenin. Ai thotë se Olimpiket kanë krijuar mundësi për rritjen ekonomike të vendit dhe se ndryshimet ishin të nevojshme. Ai ka një mesazh për komunitetin ndërkombëtar: “Hajdeni në Rio  se do të kënaqeni”. Por këtë kënaqësi nuk do të mund ta kenë notarët, apo varkëtarët olimpikë. Ata do të duhet t’i zhvillojnë garat në ujërat e ndotura të Rios. Madje edhe plazhi i famshëm Capacabana është tepër i ndotur. Lojërat Olimpike të 2016-ës zhvillohen nga 5 deri në 21 gusht të 2016-ës. VOA