Paris/Ngjarjet e fundit, sulm terrorist apo tejkalim i kompetencave?

0
201

 

 

rAutoritetet franceze pohojnë se kanë evituar një sulm terrorist në Francë dhe kanë vrarë atentatorin. Ngjarja e tronditi qytetin. Kjo ndodhi në ditën e përvjetorit të sulmeve ndaj gazetarëve të revistës Charlie Hebdo.

 

Ora ishte 11:30. Presidenti Francois Holland mbante fjalimin e tij në prefekturën e policisë në Paris (07.01), kur një sulmues u përpoq të futet me dhunë dhe të hedhë veten dhe policinë në erë. U dëgjuan tri të shtëna dhe personi u vra në vend. Pak kilometra më larg, presidenti premtoi më shumë para dhe të drejta për policinë, në luftën kundër terrorizmit. Ai falënderoi policinë edhe për angazhimin e saj para një viti, me rastin e sulmit të tmerrshëm ndaj gazetarëve të revistës satirike Charlie Hebdo, si dhe angazhimin në nëntor, kur u vranë rreth 130 persona të pafajshëm. Plumbat e dëgjuar në lagjen Barbès rikujtuan papritur tërë rrezikun që i kërcënohet Parisit.

Barbès një vend i pasigurtë

Kjo lagje në veri të Parisit është një zonë e pasigurtë. Këtu banojnë kryesisht të ardhur nga vendet e veriut të Afrikës, në radhë të parë nga Algjeria, por edhe shumë të ardhur nga Afrika. Nën urë flenë shumë të pastrehë dhe në muajt e fundit ka pasur shumë përpjekje për ndërtimin e kampeve për refugjatë. Tregu i së shtunës këtu është i njohur në gjithë Parisin për çmime të ulëta dhe vjedhje të shpeshta. Rue de la Goutte d’Or, vendi ku ka ndodhur sulmi ndaj stacionit policor, llogaritet si një vend i të involvuarve në skenën e drogës.

Si rrjehdojë e sulmeve të vitit 2015 godinat publike ruhen nga forcat e armatosura të sigurisë. Se çfarë ka ndodhur saktësisht të enjten (07.01) në Rue de la Goutte d’Or, mbetet të sqarohet. Por në raportet e para thuhet se atentatori ka thërritur “Allahu Akbar” dhe ka vrapuar drejt stacionit policor. Policia e ka qëlluar menjëherë dhe atentatori vdiq në vend. Ai ka pasur me vete një çantë ku dyshohet të ketë pasur bomba dhe një rrip me eksploziv rreth vetes. Ekspertët e hetuesisë do ta thonë fjalën e tyre të fundit. Prokuroria ka kumtuar se personi i vrarë ka pasur me vete një letër me një flamur të të ashtuquajturit Shteti Islamik, ku ka pasur dhe disa kërkesa në gjuhën gjermane dhe arabe. Identiteti i tij i plotë do të sqarohet këto ditë.

 

Trazira pas pengesave në rrugë

Policia në Paris ka përpiluar ndërkohë plane konkrete veprimi për raste të tilla. Brenda disa minutash është bllokuar e gjithë kjo zonë, shkollat janë evakuuar, banorët janë ftuar të mbyllen në shtëpi… Gjendja është normalizuar pas kalimit të rrezikut. Por pas barrikadave u vërejt shumë qartë pakënaqësia e qytetarëve. Disa afrikanë kalojnë pranë dhe shajnë policinë. Ndërsa disa gra të moshurara kritikojnë policinë, e cila gjithmonë ndjek të rinj afrikanë nga kjo zonë. Dëshmitarët Mohamedi dhe bashkëshortja e tij në momentin e sulmit ndodheshin tek bukëpjekësi. “Dëgjuam tri të shtëna dhe e gjitha përfundoi për disa sekonda”, thotë ai. Ai nuk e ka dëgjuar thirrjen “Allahu Akbar”. Personi kaloi pranë kontrollit të policisë dhe ata e kanë qëlluar menjëherë, thotë Mohamedi. “Reagimi i tyre ka qenë i tepruar”, mendon ai, sepse personi i vrarë është i njohur për policinë. Atë e kanë arrestuar shpesh. Ai nuk ka qenë mirë në kokë. Të gjithë në lagje e kanë njohur si një person të çmendur por të parrezikshëm. Edhe dëshmitarët nga restoranti El Bahdja në afërsi thonë se personi i vrarë ka jetuar në këtë zonë qysh prej gjashtë vjetësh. Ai ishte një algjerian që shiste ilegalisht cigare në rrugë. Ai ka marrë edhe drogë. Të gjithë e kanë njohur si një kriminel, por jo si person të dhunshëm. Samiri thotë se gazetarët nuk duhet ta besojnë versionin e policisë. Samiri beson se personi i vrarë ka pasur armë për t’u mbrojtur nga bandat që kanë dashur t’ia marrin cigaret.

 

Ministri i Brendshëm flet për cënim shumë serioz

Ministri i Brendshëm Bernard Cazeneuve foli (07.01) për një rrezik akut dhe për një aksion plotësisht të domosdoshëm të policisë. Pohimet për thirrjen e tij “Allahu Akbar” vijnë nga një kalimtar, të cilin e kanë cituar mediat në mesditë. Por i gjithë rasti i ka shqetësuar shumë banorët e Parisit. E njëjta vlen edhe për banorët myslimanë në shumë lagje të Parisit. Çfarë presidenti Francois Hollande e ka quajtur të domosdoshme në luftën kundër terrorizmit – armatimin më të mirë të policisë dhe ashpërsimin e masave – banorët e Parisit në këtë zonë e vlerësojnë si kërcënim. Ndërsa pohimet e policisë për këtë rast në këtë zonë nuk i beson askush.