Familjarë të viktimave të tragjedisë së 9 janarit të vitit 2004, ishin sot në qytetin e Vlorës ku bënë homazhe dhe hodhën tufa me lule në det. Gjatë kësaj ceremonie, ata ripërsëritën edhe një herë kërkesën që shteti të vendosë drejtësi për këtë tragjedi.
Sipas tyre, proceset gjyqësore që kanë nisur prej vitesh, duhet të finalizohen që edhe viktimat të prehen të qetë. Familjarët i kërkuan Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Ministrit të Drejtësisë, që të ndërhyjnë për të zbardhur gjithçka ndodhi natën e 9 Janarit 2014 në hapësirën detare të Vlorës, duke vënë përpara përgjegjësisë penale autorët e vërtetë të kësaj ngjarjeje.
“Edhe sa duhet të presim që të vihet në vend drejtësia”, u shprehën familjarët, ndërkohë që kërkuan të mësonin se, përse qeveria e asaj kohe nuk mori masa për të shpëtuar personat që po mbyteshin në det.
Natën e 9 janarit të vitit 2004, teksa po lundronin me një gomone që u nis nga vendi i emërtuar “Rrugët e bardha”, në afërsi të fshatit Palasë, me destinacion Italinë, humbën jetën 20 persona, ndërkohë që 7 të tjerë rezultuan të zhdukur. Për këtë ngjarje u akuzuan 13 persona.