Mbledhja e djeshme e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, me koordinatorët e qarqeve, edhe pse është komentuar rutinore në kuadër të procesit të ristrukturimit të partisë, ka vendosur zyrtarisht që të shtyjë për në mars mbajtjen e Kongresit, por pa një datë fikse. Caktimi i një date për mbajtjen e Kongresit do të njoftohet në një moment tjetër për koordinatorët si dhe deputetët e majtë dhe strukturat e partisë, çka do të vendoset në bazë të ecurisë së procesit zgjedhor brenda partisë, që sipas kryesocialisti Rama duhet të përfundojë brenda muajit janar. Ajo që të majtët nuk kanë caktuar ende është fakti nëse kjo datë do t’u njoftohet nëpërmjet një udhëzimi të veçantë, apo nga një mbledhje e Asamblesë Kombëtare, e cila është organi kompetent për të vendosur përfundimisht shtyrjen e Kongresit, i parashikuar që të mbahej në fund të këtij muaji. Në mbledhjen e mëngjesit të djeshëm të kreut të PS-së, Edi Rama, dhe pesë koordinatorëve, është vendosur që për çdo shtyrje të afateve të fazave për zgjedhjet brenda partisë do të hartohet një udhëzim i veçantë, i cili më pas do t’i përcillet strukturave të partisë në bazë. Pas takimit me koordinatorët dhe axhendës së tij, kreu i PS-së mësohet se edhe pasdite ka zhvilluar takime kokë më kokë me një pjesë të tyre dhe me deputetët socialistë. Në fokus të takimeve të tjera të kryesocialistit Rama me një pjesë të deputetëve dhe koordinatorëve ka qenë ecuria e ristrukturimit të partisë dhe problematikat e çdo zone. Gjatë kësaj jave, PS pritet të mbledhë dhe grupin parlamentar, mbledhje e cila do të jetë e para për këtë fillim viti dhe do të mbahet para nisjes së sesionit të ri parlamentar. E gjithë situata zgjedhore brenda së majtës është raportuar në mbledhjen e parë të kryesocialistit Rama së bashku me koordinatorët e 6 qarqeve, ku janë evidentuar problematikat gjatë fazave të ristrukturimit të së majtës. Edhe pse është pranuar shkelja e afateve të vendosura nga Asambleja Kombëtare e mbledhur në fund të korrikut të vitit të kaluar, kreu i PS-së ka kërkuar që e gjithë puna e nisur nga strukturat e partisë të përfundojë në fund të janarit dhe më pas të vendoset mbledhja e Kongresit, i cili pritet që të votojë edhe për ndryshimin e statutit të partisë. Faza e parë, regjistrimi i anëtarësimeve dhe krijimi i një regjistri elektronik që më pas do të votojnë për zgjedhjen e delegatëve, si dhe vetë drejtuesve të degëve, kërkon një angazhim më të madh të strukturave, duke synuar pikërisht arritjen e 150 mijë të anëtarësuarve në parti. Në të njëjtën kohë, me ritme të ngadalta ka ecur edhe puna për zgjedhjet e kryetarëve të organizatave të PS-së ku përveç Tiranës dhe Durrësit, qarqet e tjera kanë pasur problematikat në këtë fazë. Gjithsesi strukturat e partisë në bazë, të cilat mbikëqyren në çdo proces edhe nga vetë koordinatorët dhe deputetët e zonës kanë për detyrë që brenda muajit janar të kenë zgjedhur edhe delegatët e partisë, të cilët do t’i përfaqësojnë ata në kongres. Aty ku është mbyllur procesi i zgjedhjes së kryetarëve të organizatave dhe të partisë në bashki, të fillojë procesi i zgjedhjes së delegatëve të Kongresit. Përcaktimi i numrit të delegatëve do të bëhet sipas kritereve të përcaktuara në asamble në korrik të vitit të shkuar, sipas parimit 1 delegat për 100 anëtarë partie dhe do të respektohet kuota gjinore 50% gra, nismë kjo e paraqitur nga Kryeministri Edi Rama. Fillimisht kërkesa për shtyrjen e kongresit u paraqit nga koordinatori i PS-së për Jugun e Shqipërisë, Koço Kokëdhima, cili propozoi ai që të mbahej në muajin prill. Pavarësisht kontestimeve të para ndaj platformës së Kokëdhimës, shtyrja e datës së kongresit duket e pashmangshme, pasi nuk u plotësuan afatet e vendosura nga Asambleja e PS-së e mbajtur në korrik të vitit të kalua.