Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito zhvilloi një takim konsultativ për zhvillimin e Internetit me shpejtësi të lartë dhe politikat për spektrin e frekuencave në Shqipëri me aktorë të ndryshëm të këtij sektori. Harito i kërkoi Autoritetit të Mediave Audiovizive që të përshpejtojë proçesin për teknologjinë 5G duke e vlerësuar Shqipërinë si të vonuar në zhvillimin teknologjik. Zv.Kryeministri Niko Peleshi premtoi më shumë shërbime on-line në vitet e ardhshme.
Zhvillimi i teknologjive për të arritur tek 5G është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të një vendi.Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike i kërkoi Autoritetit të Mediave Audiovizive që të përshpejtohen procedurat për lirimin e frekuencave pasi Shqipëria mbetet shuma pas në krahasim me Europën.
Milena Harito: “Për brezin 800 mhz këto përcaktime i kemi në ligj dhe në dokumentet e politikave por procesi në Shqipëri është mjaft i vonuar. Në vendet e BE ky brez është dhënë prej disa vitesh. Me AMA-ën kemi operuar për të parë prespektivat e zhvillimeve në kuadër të spektrit dhe nuk duam që të biem në situatën e rrjeteve 3G që siç e përmenda në Shqipëri morën 10 vjet vonesë. Këtu duhet të ecim më shpejt. Nuk e kemi luksin të mos përfitojmë nga rrita ekonomike që sjellin këto rrjete.”
Ndërkohë që zv.Kryeministri Niko Peleshi premtoi se brenda 2017 do të ofrohen rreth 300 shërbime on-line.
Niko Peleshi: “Kemi një numër të konsiderueshëm të këtyre shërbimeve në portalin E Albania. Kemi projekte në proces për dixhitalizimin dhe ndërlidhjen e shumë sistemeve qeveritare në një platformë të përbashkët. Deri në vitin 2017 kemi për objektiv që më shumë se 300 shërbime të lëvrohen online për qytetarët.”
Përfaqësues të mediave nënvizuan që proceset e dixhitalizimit janë mjaft të vonuara dhe duhet që AMA të japë një datë konkrete për licensimin e rrjeteve private dhe po ashtu për ndërtimin e rrjeteve të televizionit publik duhet një datë konkrete.