Qeveria dhe BERZH do të vendosin 75 milionë euro si garanci për bankat private që ato të kreditojnë fermerët. Marrëveshja synon t’u japë mundësi fermerëve që të marrin kredi të buta nga bankat për të zgjeruar aktivitetin e tyre“Buxheti dhe BERZh së bashku garantojnë huatë që sistemi bankar, dhe financiar në tërësi do të mund të angazhohen në dhënien e kredive për bujqësinë shqiptare ”, tha ministri i Financave Shkëlqim Cani. “Ideja kyç është ndarja e riskut. Është e qartë nga shumë biseda që kemi patur me bankat dhe institucionet e tjera që ato duan të kreditojnë bujqësinë, por druhen sepse ky sektor ka risk të lartë. Kështu që zgjidhja që kemi vendosur është të ndajmë rrezikun, mes bankave, qeverisë dhe BERZH”, tha Christoph Denk, Drejtor i BERZH në Shqipëri. Fermerët do të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë tek Agjencia e zhvillimit bujqësor dhe rural. Por jo kushdo mund të përfitojë. “Objektivi nuk është të japim para të lirë për çdo biznes bujqësor pa asnjë pyetje nga bankat, por objektivi është të mundësojmë financime për projektet e mira me kosto sa më të ulët”, vijoi Denk.Fokusi i financimeve do të jenë disa sektorë të cilët rrisin prodhimin dhe sigurojnë eksportet. Ministri Panariti listoi disa prej tyre:“Sektori i bimëve aromatike dhe mjekësore, sektori i perimeve dhe frutave të freskëta, si ulliri apo i verës. Padyshim do të mbështetet edhe sektori i blegtorisë”, tha ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.Përmes skemës, qeveria jo vetëm që siguron kolateralin për femerët, por sipas Panaritit ajo do të subvencionojë dhe normat e interesit të kredive deri në dhënien e tyre falas.“Kreditimi do të jetë shumë i favorshëm. Nuk bëhet fjalë për interesa tregtare, por do të bëhet fjalë për interesa shumë të ulëta”, vijoi Panariti.Edhe pse jep 20 për qind të prodhimit kombëtar dhe punëson gati gjysmën e popullsisë sektori i bujqësisë është më pak i kredituari, pasi bankat e konsiderojnë atë me risk të lartë. Autoritetet shpresojnë se përmes vendosjes së kësaj garancie, do të gjenerohen mbi 300 milionë euro kredi të reja për bujqësinë, çka do të çonte në rritjen me 5 herë të financimeve bankare për këtë sektor.