Pas ngecjes së radhës së reformës në drejtësi, SHBA-të përmes ambasadorit Donald Lu janë rifutur sërish në negociata mes palëve. Kryediplomati amerikan zhvilloi dje takime me Presidentin e vendit Bujar Nishani si edhe me kryeministrin Rama ku në qendër të diskutimit mësohet se ishte reforma në sistemin gjyqësor. Takimi mes Lu-së dhe Nishanit u zhvillua herët në mëngjes në Presidencë, ku me gjasë ambasadori ka marrë opinionet e radhës së kreut të shtetit për zhvillimet e fundit për reformë në drejtësi si edhe propozimin e tij për thirrjen e një tryeze politike. Ndërkaq rreth orës 16:00 ambasadori amerikan hyri në kryeministri ku nisi takimin me ramin i cili zgjati për 30 minuta. Kreu i qeverisë ka qenë ndër personazhet politike që ka heshtur së paku në publik për zhvillimet e fundit të procesit të reformës në gjyqësor duke vënë theksin tek puna e ekspertëve. Që nga nisja e procesit e deri më tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol kryesor në ecurinë e reformës në drejtësi. Ambasadori amerikan Donald Lu ka qenë tërësisht i angazhuar për këtë çështje, gjë kjo e vërejtur edhe nga deklaratat e tij të bujshme për domosdoshmërinë e kryerjes së kësaj reforme. Lu ka luajtur rolin e katalizatorit sa herë që palët janë gjendur në debate dhe ngërçe. Fillimisht takimet e tij të shpeshta me kryedemokratin Basha shërbyen dhe i dhanë garancinë demokratëve se kjo reformë do të mbikëqyrej nga ndërkombëtarët. Po ashtu ishte po ambasadori amerikan ai që përmes takimeve me kreun e Kuvendit dhe kryetarin e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi Fatmir Xhafaj, mundësoi krijimin e kanaleve të komunikimit me opozitën, për të ulur më pas së bashku palët në një tryezë. Deçizive ishte edhe ndërhyrja e pak ditëve më parë, e cila mundësoi thyerjen e bojkotit të PD-së dhe rinisjen e punës për kryereformën, pavarësisht se vetëm dy ditë më pas demokratët u larguan sërish nga tryeza pas mungesë së dakordësisë me mazhorancën.