Seks, butoks, përgjime, gjurmime, përmbytje, po për arsimin kur do flasim?

0
155

yyNga Ndriçim Mehmeti

Prej shumë kohësh në mediat e shkruara dhe vizive, gjen tema “shumë të rëndësishme”, ku ftohen të njëjtit njerëz, që flasin për probleme “shumë të prekshme”: Seksi, veshjet, pushimet në vendet ekzotike, përgjimet, tradhtia bashkëshortore, ndonjëherë për drejtësinë, më rrallë për përmbytjet, shumë më tepër për arritjet e këtij apo atij individ, që tani ka peshë në politikë. Madje thuajse në të gjitha studiot njerëzit e përzgjedhur me shumë kujdes, i gjen me të njëjtin fustan, model flokësh e të njëjtin byzylyk. Temat më të rralla janë padyshim ato sociale e në veçanti arsimi. Ky i fundit duket se ka pak ose aspak rëndësi. Madje të krijohet përshtypja, se në vendin tonë nuk ka nevojë të flasësh fare për arsimin, pasi ai është në zenitin e vet.
Përse nuk ka interes për arsimin?
Ka shumë arsye. Shumica e elitarëve shqiptarë: Politikanë, biznesmenë, gjyqtarë, prokurorë, njerëz me ndikim në jetën shoqërie, pronar mediash dhe gazetarë që paguhen në shuma faranike, nuk i kanë fëmijët në arsimin shtetëror. Madje sa bëhen për shkollë të mesme i nisin bashkë me gruan jashtë vendit, duke “sakrifikuar”, për avenirin e fëmijëve edhe rehatinë e tyre. Pjesa tjetër e popullatës që është edhe shumica në këtë vend, vazhdojnë të shpresojnë se një ditë, arsimi do të bëhet më i mirë. Mes interesit të publikut dhe interesit këtyre grupimeve, minorene në shoqërinë tonë, fiton si gjithnjë interesi i pakicës. Interesi i publikut që lidhet ngushtësisht me arsimin dhe edukimin e fëmijëve, injorohet tërësisht. Edhe kur flitet për të, bëhet fjalë për arritje tepër të mëdha: Kurrikula e re, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, në pikëpamje arsimore, testimi i mësuesve etj. Natyrisht që ka ndjeshmëri për arsimin, në rastet, kur ndodh një vrasje, rrahja e një fëmije dhe deri këtu. Kur dhunohen mësues përditë, kur nuk u jepet paga mësuesve, kur nuk nënshkruhet kontrata kolektive, kur mbeten fëmijët pa shkollë, pa libra etj., nuk ka asnjë reagim.
Arsimi nuk përbën lajm. Aq më tepër që ai nuk paraqet ndonjë interes publik për mediat, sa mund të ketë lajmi për Kim Kardashian, “50 hijet e Grej”, a ka më shumë butoks, apo sapun në fytyrën e femrave sot, etj. Madje më interes ka lajmi, kur vetë ha-anal-istët, zihen me njëri-tjetrin, kuptohet për gjëra shumë “fondamentale”. Një kokërr vezë për Kryeministrin kthen pak vëmendjen tek arsimi, që shuhet shumë shpejt, duke etiketuar, se me kë parti është Arlindi, Lindita, apo Selma. Ndërkaq qeveria endet në dilemat veta: “Mos vallë po na i punon opozita të gjithë këtë aksion për ligjin më të mrekullueshëm të arsimit të lartë? Gjithë këto “hamendje të arsyeshme”, kanë një qëllim: T’i bishtnojmë sa të mundemi, thelbit të debatit që është: A jemi sot në rrugën e duhur për një arsim cilësor? Këtij debati i largohen të gjithë, si djalli nga temjani. E përmendin natyrisht, sa herë që ndodh ndonjë fatkeqësi, për ndonjë betejë politike, por vetëm kaq. Më pas hyjmë në rrjedhën e zakonshme politike: Drejtësia, kriminaliteti rendi, dekkriminalizimi. A shmangen këto fenomene vetëm përmes ligjeve të shkruara nga ata që sot konsiderohen si parlamentarët më të pashkollura? Jo. Evitohen përmes një vizioni të qartë për arsimit të mirë, e të qëndrueshëm afatgjatë.
Po mirë gazetat, televizionet, partitë politike, që nuk kanë ndonjë interes të dukshëm për këtë çështje, po shoqëria pse është kaq e heshtur?
Një vend që mendon se është në demokraci dhe i mungon reagimi i shoqërisë, në të vërtetë ai vend ka kaluar në vend gjysmë diktatorial. Shoqëria jonë jo vetëm që është larg problemeve të arsimit por ka një shurdhëri dhe verbëri të çuditshme ndaj kësaj problematike. Burrat dhe gratë e fshatit dhe qytetit merren me të gjitha çështjet, që nga fjalimet e Obamës dhe veshjet e Hilarit e deri fakti në se do të bëj një fëmijë të dytë Linda Rama. Ajo që merren pak dhe aspak është arsimimi i fëmijëve të tyre. Justifikimi? “Edhe ne në kohën tonë, nuk na rrinte njeri nga mbrapa të mësonin. Nëna dhe babai nuk dinin se ku e kishim shkollën. Le të bëhen zot të vetes”. Arsyetimi i kësaj natyre që në të vërtetë, është justifikim, vjen nga një mori arsyesh: Arsimimi, nuk është se të jep ndonjë avantazh në hierarkinë e shoqërisë sonë. Përkundrazi mungon ndjeshmëria e shtetit ndaj grupeve në nevojë dhe në tërësi ndaj arsimit dhe së fundi ka të bëjë edhe me mjedisin tepër të pasigurt, që ka për të ardhmen në shoqërinë tonë. Nuk ka asnjë dyshim, se këtyre faktorëve u shtohen edhe problematika që janë akoma edhe më të rënda: Familje të divorcuara, prindër që rriten me një, fëmijë që i kanë humbur prindërit, janë larguar ose janë braktisur nga prindërit dhe rriten nga të afërmit, prindër që ndodhen në burg e kështu me radhë. Për një shumicë jo të vogël të prindërve në zonat rurale, fëmijët shihe si krah pune, që janë shumë të nevojshëm për të rritur të ardhurat ekonomike. “Në fund të fundit, tokën e ka, gjënë e gjallë e ka, të bëhet i zoti-mendon prindi- e t’ja dali vetë fëmija. Kjo punë që do të bëj pesë klasë shkollë do. Në zona të thella, është justifikim më se i pranueshëm, mungesa e infrastrukturës, orët e gjata që do të bëj fëmija për të mësuar, rreziqet e shtuara nga terreni dhe mungesa e sigurisë.
Bordet dhe shoqatat e prindërve, janë organizma që presin projektin e radhës, për të marrë ndonjë projekt në asistencën e ekspertëve të edukimit, që tek ne gjenden me shumicë. A ka një mekanizëm, që arsimi të vihet në qendër, të vëmendjes së debatit shoqëror.
Partitë politike, Avokati i Popullit, institucioni i Presidentit të Republikës
Për fat të keq, këto institucione, sikundër edhe shumë të tjera që kanë lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me edukimin, janë në një moment pushimi të pakuptimtë. Qeveria, e ka ezauruar problemin e arsimit, përmes nismave që i lançon kryeministri, i zhvillon ministrja, i anulon prapë kryeministri, i rimerr sërish, e në fund, askush nuk kupton e mban mend kuptimin dhe përfundimin e reformës. Me të vetën qeveria është në rregull. Kur i dalin mësues, roje, sekretare tepër, ja kalon pushtetit lokal, ose ndonjë ministrie tjetër dhe e heq barrën nga vetja., Avokati i Popullit, nuk shpreh ndonjë shqetësim të madh, për një seri problemesh, që jo vetëm janë të pranishme prej vitesh në arsimin shqiptar po agravohen gjithnjë e më tepër. Braktisja shkollore, përdorimi i substancave narkotike të lehta e të rënda në mjedisin shkollore, dhuna nxënës-nxënës, nxënës-mësues, mungesa e arsimit të qenësishëm në IEVP, mungesa e qendrave rehabilituese dhe edukuese për fëmijët që kryejnë krime, abortet e pakontrolluara në moshë të mitur, përdorimi i armëve në mjediset shkollore e jashtë saj prej nxënësve të shkollës, nuk janë ende në agjendën e “ngjeshur” të Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit, duhet të ndërmarrë inspektime, për të parë se ku mësojnë fëmijët tanë, në sa zona mungojnë institucione të arsimit parashkollor, sa fëmijë nuk kanë mundësi ekonomike për të ndjekur shkollën, sa fëmijë shfrytëzohen si kafshë pune prej prindërve dhe organizatave kriminale, etj. Opozita nga ana e saj, e ka kufizuar luftën e saj në parlament, por pa fituar një impakt më të gjerë se kaq, për arsimin. Është detyra e saj të thotë hapur p[a hezitim se cili është mendimi për reformën, trajtimin e mësuesve, projeksionin e gabuar, ose pozitiv nëse e sheh si të tillë edukimin sot. Natyrisht që opozita sot, duhet ta fillojë analizën e saj, duke pranuar gjërat që nuk u bënë mirë, ose nuk pati kohë të zbatoheshin si duhet. Po aq opozita është e shtrënguar në kohë, të paraqesë një program të sajin, se ku është dhe ku do të shkoj arsimi në vitet e ardhshme. Opozita ka shansin dhe mundësinë, të jetë zëdhënës i probleme që kalon arsimi sot. Por këtë duhet ta bëjë, tani, hapur, pa u tulatur dhe pa pasur asnjë lloj droje. Duhet ta bëj ,me guxim, pa dëgjuar zëra, që nuk dinë se ku ç’është arsimi, ose kanë një pjesë të fajit për gjendjen e sotme, pa dëgjuar njerëzit, që mundohen të penetrojnë si të persekutuar politik nga qeveria, e as ata që luajnë me shumë porta. Guximi drejt së vërtetës, alternativat realiste, do ta çlironin opozitën dhe do të jepnin pa as më të voglin dyshim, një tjetër besueshmëri në masën e madhe të mësuesve, komunitetit të prindërve dhe shoqërisë në tërësi.
Institucioni i presidencës, duhet të ketë më i ndjeshëm ndaj probleme thelbësore që ka arsimi në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë arsimi parauniversitar. Në cilësinë e kryetarit të shtetit, presidenti i Republikës, deri më sot nuk ka mundur të ndërmarri një iniciativë nga më të thjeshtat por shumë kuptimplote: Tryeza të rrumbullakëta me komunitetin e mësuesve, prindërve e nxënësve, për probleme shumë të mprehta që ka arsimi e deri tek dekorimi i mësuesve, veprimtarëve të arsimit, mirëbërës të tij, shoqata të huaja dhe vendase që kanë një meritë të veçantë në transformimin e arsimit tonë etj. Problematika si gjithnjë tepër komplekse e politikës shqiptare, ndoshta ka krijuar pak hapësirë për Presidentin e Republikës, për t’u marrë me arsimin, por gjithsesi, kjo nuk justifikon indiferencën thuajse të plotë për këtë sektor kaq të ndjeshëm në vendin tonë.
N kushtet e këtij udhëkryqi pa shumë rrugë dalje askush nuk duhet të mendoj se është shoqëria jonë, kapitalizmi, koha që na vuri në sfidë përballë injorancës dhe krimit të rrugës apo atij me kollare. Të gjithë bashkë me indiferentizmin tonë dhe interesimin e pashtershëm për fustanet, butoksin dhe seksin, kemi kontribuar sado pak për t’u mos u marrë me arsimin dhe për ta bërë veshin të shurdhër edhe ndaj atyre pak zërave që kanë mbetur ende aktiv.