Mesut Ozil është zgjedhur si lojtari gjerman i Vitit 2015. Dominim absolut i mesfushorit të Arsenalit në cmimin që jepet nëpërmjet votimit në anketën on line në faqen zyrtare të Federatës Gjermane të Futbollit, pasi Ozil e fiton këtë cmim për herë të katërt në 5 vitet e fundit. Fantazisti i Arsenalit e humbi kurorën që kishte fituar tre herë rradhazi në 2014, kur cmimi shkoi për Toni Kroos, por tani e merr sërish atë pas një viti fantastik për të. Më shumë se 51 mijë fansa votuan për Ozil duke i dhënë atij 45.9 % të votave dhe një distancë komode përpara Thomas Myller që u votua nga 15.9% e fansave ndërsa Jonas Hector mori 13.6% të preferencave. Ozil ishte titullar në 8 ndeshje me Gjermaninë në 2015 dhe shijoi 5 fitore në to. Në nivel klubesh 16 asistet e tij dhe 87 rastet e krijuara për gol këtë sezon, përbëjnë statistikën më të mirë të cdo futbollisti në 5 kampionatet më të rëndësishëm të Europës.