Elbasan/ Moti i keq, izolohen zonat e thella

0
173

elMoti i keq që ka përfshirë të gjithë vendin ka shkaktuar tashmë edhe bllokimet e para. Zonat e thella të Librazhdit janë bllokuar prej mbrëmjes së të shtunës, ndërkohë që po punohet për zhbllokimin e rrugëve që çojnë në to. Probleme ka pasur edhe përsa i përket furnizimit me energji elektrike.
Pa energji elektrike mbetën fshatrat e Librazhdit, Stëblevë, Qarrishtë, Lunik, Zgosh, Borovë, Zazbun, Sopot, Dranovicë etj. Gjithashtu edhe një numër i madh fshatrash të Elbasanit dhe Gramshit kanë mbetur pa energji. Drejtoria Rajonale e OSHEE-së bëri të ditur se, është duke u punuar për riparimin e defekteve.

“Vlen të theksohet se deri tani situata është e përballueshme, por ne nuk mund të parashikojmë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Kam parasysh këtu sidomos gjendjen e rrjetit elektrik, është bërë një ndërhyrje shumë e madhe gjatë këtij viti të kaluar dhe shumë linja janë riparuar, por rreziku është ende i lartë dhe ne kemi marrë të gjithë masat. I bëjmë thirrje edhe drejtorisë së OSHEE-së që të shtojë vëmendjen ndaj Bashkisë Librazhd, si në numër punonjësish edhe me materiale, me qëllim që të mos përsëritet situata që kaluam vitin e kaluar. Besoj se edhe drejtoria e përgjithshme e rrugëve ka marrë masa për zhbllokimin e akseve kryesore, që mënyrë që ne më pas të mos lejojmë bllokimin e rrugëve nëpër fshatra”, tha Kastriot Gurra, kryetar i Bashkisë Librazhd.

Akset nacionale në Qarkun e Elbasanit janë të kalueshme, por policia këshillon drejtuesit e mjeteve të pajisen me zinxhirë, pasi temperaturat e ulëta krijojnë ngrica në segmente të caktuara. Gjithashtu po punohet që edhe zonat malore të mos qëndrojnë për një kohë të gjatë të bllokuara.