Qyteti Budai, në jug-perëndim të Tajvanit pritet të shndërrohet në një atraksion të jashtëzakonshëm turistik, pas ndërtimit të një kishe unike, krejt prej xhami por në formën e një këpuce. Ajo është ndërtuar e gjitha me metal dhe me xham në ngjyrë blu.
Edhe pse kjo kishe e vecantë është ende në ndërtim e sipër, sërish turistët kanë nisur ta vizitojnë, duke shkrepur foto selfie e duke ndjekur punimet.
E pozicionuar në mes të qytetit dhe ngjitur me një tempull tradicional budist, struktura prej xhami blu është plot 70 metra e lartë, në pjesën e takës së këpucës, duke u shndërruar në projektin më unik por edhe në ndërtesën më të lartë të këtij lloji, sipas Administratës Kombëtare skenike.
Talia Pan, e cila është menaxhere e këtij projekti pranë administratës, tha se ky ndërtim pritet të rrisë ndjeshëm numrin e vizitorëve, mundësisht nga e gjithë bota. Ajo shprehet e sigurtë se e ardhmja për këtë rajon do të jetë vërtet pozitive.
“E gjithë kjo ndërtesë ka një kuptim unik që vjen që prej viteve 60 në këtë zonë të tajvanit, një histori mes femrave që e kishin të vështirë të martoheshin dhe takave të larta. Nga ajo histori, lindi ideja për ndërtimin e një objekti kulti por që të mbarte me vehte edhe një histori interesante për ta treguar” tha ajo, duke iu referuar zakoneve kineze sa i përket marrdhënieve bashkëshortore. Sipas tyre, femrat që vishnin taka të larta, linin pas krahëve varfërinë, jetën e vështirë dhe zakonet e këqija.
“Për shkak të asaj historie, ne shpresojmë të krijojmë një vend unik, në kontenë Chiayi, ku njerëzit të mund të celebrojnë martesën e tyre përpara zotit, duke e ndjerë vehten si pjesë e një përralle, si hirushja dhe këpuca e saj magjike prej xhami”.
Vazhdimisht anëtarë të administratës zyrtare vijojnë dhe inspektojnë godinën për të parë nga afër punimet, duke u interesuar për detajet ndërsa projekti final pritet të jetë gati për premierën e saj përpara vitit të ri kinez, që nis në muajin shkurt. Struktura e xhamit në vetvete ka përfunduar ndërsa zona përreth saj pritet gjithashtu të rrethohet me xham blu.
Shqetësimi më i madh i drejtorit të administratës së zonës, Cheng Jung-feng, është mundësia e punësimit të të rinjve në këtë rajon. Sipas tij, kisha e re pritet të thithë sa më shumë vizitorë vendas dhe të huaj, duke i dhënë mundësinë bizneseve përqark saj të punësojnë sa më shumë vetë.
“Më interesojnë mundësitë e punësimit sepse ndërmarrjet dhe fabrikat e mëdha nuk janë këtu. Qytetarët tanë tanimë nuk kanë asnjë mundësi punësimi, as të rinjtë. Ndaj shpresoj që përmës këtij projekti, të mund të krijojmë mundësi për ta, për të qënë të suksesshëm edhe në vendin e tyre.
Mendoj se qyteti ynë ka mundësi të jashtëzakonshme turizmi” tha ai për reuters.
Studenti 24 vjecar Yang Wen-jiang, tha se ka ardhur të bëjë foto në këtë godinë vërtet unike dhe ajo cka i intereson është forma e saj, prej këpuce. Ai tha se lajmin e ka parë fillimisht në televizion dhe tha se një ditë shpreson të martohet aty me te dashurën e tij.
“Nuk kemi parë kurrë më parë një kishë me xham dhe për më tepër në formën e këpucës. Kam dëgjuar në tv, më pas nga miqtë dhe në internet dhe doja ta shihja vetë ngha afër” tha ai.
Vizitorë nga shumë vende por edhe të të gjitha moshave kanë ardhur për të parë nga afër një nga ndërtesat më interesante në botë. 50 vjecarja Lai Yu-ting tha se mezi e pret celjen e inaugurimin e saj në muajin shkurt.
“Unë vi nga qyteti Chiayi. Kemi dëgjuar shumë për këtë kishë në formë kepucë që është e bazuar në një histori të vërtetë. Erdhëm për ta parë nga afër dhe mendojmë se është vërtet shumë speciale. Duket shumë bukur nga afër dhe mendoj se brenda saj do të jetë edhe më e bukur” tha ajo.
Vizitorët pritet të dynden në këtë kishë, menjëherë sapo ajo të hapë dyert, mbi të gjitha për besimtarët.
Kjo kishë është ndërtuar me 1279 ton metal dhe me 320 pllaka gjigande xhami të formave dhe përmasave të ndryshme.