Nga Jamsheed Faroughi.
Ky është fundi i grindjes së gjatë dhe të vështirë atomike me Iranin. Për 13 vjet me radhë u bënë të gjitha përpjekjet e mundshme. Dhe tani: një moment vërtet historik, kur e ngarkuara me politikën e jashtme të BE, Mogherini dhe Ministri i Jashtëm i Iranit, Sarif shpallën me gëzim zyrtarisht fundin e konfliktit atomik. Po të hedhim një vështrim pas në rrugën e gjatë dhe të thepisur për marrëveshjen atomike, vetëm atëherë mund ta kuptojmë sa i vështirë – dhe pikërisht për këtë arsye – sa me vlerë është dakordimi me Iranin.
Aventurë e rrezikshme
Ka pasur raunde të pafundme bisedimesh, negociata të dështuara, vendime jetëshkurtra, kërcënime ushtarake si dhe sanksione gjithëpërfshirëse. Edhe atentate të çuditshme kundër fizikanëve bërthamorë iranianë, sabotazh dhe sulme misterioze kibernetike ndaj pajisjeve atomike iraniane – edhe këto duhet të përmenden. Për vite të tëra, taktika e zvarritjes e Iranit ishte karakterizuese për bisedimet atomike. Udhëheqja e Teheranit madje pati pohuar se sanksionet janë pa efekt. Por tani ajo kërkoi heqjen e menjëhershme të masave ndëshkimore. Kthesa në konfliktin atomik me Iranin është arritja më e madhe diplomatike në mandatin e Presidentit të SHBA, Barack Obama dhe njëkohësisht një fitore e forcave të moderuara në Iran, të cilat më në fund i i kuptuan sinjalet e kohës dhe u distancuan nga aventura e rrezikshme bërthamore e vendit të tyre.
Gjendje e brishtë
Deri këtu, mirë! Por e parë esëll, fitorja e arsyes ishte shumë e ngushtë, prandaj gjendja është e brishtë. Veç kësaj ka disa armiq të marrëveshjes, të cilët janë të gjithëpranishëm në të gjitha nivelet e mundshme: nacionale, rajonale dhe ndërkombëtare. Populli iranian e feston heqjen e sanksioneve. Por në qarqet e pushtetit të Teheranit ka një grup tjetër, i cili ka përfituar për vite të tëra nga tensionet dhe dhuna në rajon. Pikërisht këtij grupi i duhen SHBA si simbol i armikut, si në pikëpamje ideologjike, ashtu edhe financiare. Shumë janë pasuruar së tepërmi në hijen e sanksioneve dhe të krizës që rezultoi prej tyre. Janë ata, mbështetësit e të cilëve sulmojnë ambasadat, që thërrasin gjithmonë në rrugë parulla me urrejtje kundër Izraelit dhe Perëndimit dhe që u vënë flakën flamurëve. Ithtarët e vijës së fortë në Iran, kryeministri i Izraelit Netanjahu, kandidati për President në SHBA Trump dhe mbreti i Arabisë Saudite Salman kanë objektiva të përbashkëta. Sepse ata kanë frikë nga afrimi i Iranit me Perëndimin.
Asnjë çudi
Sanksionet e goditën rëndë ekonominë iraniane. Industri e rrënuar, investime që mungojnë,mungesë dijesh teknologjike dhe kufizime tregtare para së gjithash në eksportin e naftës dhe të gazit janë trashëgimia e rëndë e sanksioneve tregtare dhe e programit pa kuptim bërthamor, para së gjithash në eksportin e naftës bruto dhe të gazit. Heqja e sanksioneve është parakusht i domosdoshëm për luftimin e pabarazive sociale, por pa dyshim nuk është zgjidhja e të gjitha problemeve. Zgjidhja paqësore e grindjes atomike me Iranin është një fitore e të arsyeshmëve në Iran. Tani ata duhet ta mbrojnë këtë sukses kundër sulmeve nga jashtë dhe nga brenda.