‘Luftë’ mes grupimit më të madh të mbështetësve të kombëtares, ‘Tifozave Kuqezi’ dhe FSHF për biletat në Kampionatin Europian të Francës. Tifozët kanë akuzuar ashpër FSHF. “Njerëzit e federatës me mish e me shpirtë po mundohen që të “vjelin” frytet e kualifikimit të Kombëtares në Francë edhe të bëjnë pazar për gjithçka që kalon nga duart e tyre, siç duket nuk ka më nevojë për TKZ-në” shprehen ata. Shkak i konfliktit është bërë krijimi i grupit të tifozave në mbështetje të kombëtares në Francë nga FSHF, të ‘pagëzuar’ me emrin ‘Klubi i Kombëtares’. FSHF në reagim vendos si kusht të lehtësimit të kushteve dhe pajisjes me bileta të tifozëve anëtarësimin në nismën e fundit. FSHF iu kujton se “rregullat e UEFA-s japin mundësi e prioritete, për t’u pajisur me bileta vetëm për ato individë që janë të regjistruar në klubet zyrtare të federatave ëerkatese. Ështe kjo nje nga arsyet qe FSHF se fundmi promovoi Klubin “Tifozet e Kombetares”, i cili është i hapur për të gjithë, për t’u regjistruar dhe për t’u bërë pjesë e mbështetjes maksimale për ekipin tonë kombëtar”. Por një gjë e tillë është e papranueshme nga ‘Tifozat Kuqezi’. “Kjo për ne, ka qenë e pakuptimtë edhe e papranueshme njëkohësisht, pasi e cenon pavarësinë tonë si organizim dhe e humbet përgjegjësinë tonë organizative 12 vjeçare. Pas disa takimesh edhe zvarritjesh, herën e fundit kemi kërkuar që takimi të jetë direkt me kreun e kësaj federate, Armand Duka, por nuk është marrë parasysh”. ‘Tifozat Kuqezi’ s’janë aspak të kënaqur duke ‘kërcënuar’ në të ardhmen. “Kjo është një ditë e vështirë për të gjithë tifozët e sinqertë të Kombëtares. 12 vite ku kemi dhënë sa kemi mundur për t’u kualifikuar e në fund diskualifikohemi nga FSHF. Por, do të ketë ndeshje kualifikimi edhe pas kampionatit europian, e aty do të rishihemi prapë dhe reagimi jonë do jetë më i fuqishëm se kurrë më parë”mbyllet ndër të tjera reagimi i tyre.