Paraqitet në punë dhe zhvillon disa seance gjyqësore. I quan të panevojshme hetimet e mëtejshme. Kërkon mbylljen e çështjes, ende pa u zbardhur. Nuk shpjegon ekzistencën e 20 mijë eurove në makinën me të cilën vajti në spital për mjekim
Alma Çuka
Kush ia shkaktoi plagët gjyqtarit të Shkallës së Parë Tiranë Artan Gjermeni? Pse nuk pranon ai të jap shpjegime ? Kush është origjina e 20 mijë eurove që u gjendën në makinën e tij gjatë kontrollit të policisë? Pse kërkon Gjermeni të mbyll çështjen ende pa u hapur?. Këto janë disa nga pyetjet që 48 orë pas plagosjes së mistershme të tij, ende nuk kanë përgjigje. Ish -anëtari i KLD-së, aktualisht gjyqtarë në Shkallën e Parë Tiranë, ka preferuar të hesht përballë ngjarjes për të cilën as policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk kanë një përgjigje. Pasi mori mjekimin e nevojshëm në Spitalin e Traumës mbrëmjen e së dielës, gjyqtari Gjermeni u paraqit mëngjesin e kësaj të hëne në punë si zakonisht. Para kolegëve e ka cilësuar plagosjen e tij aksidentale. Ndërkohë që nuk ka qenë i kënaqur me punën e policisë të cilën e ka konsideruar të tepërt në këtë rast.
Hetimi
Menjëherë pas sinjalizimit të autoriteteve spitalore për ngjarjen në fjalë, policia dhe prokuroria janë vënë në lëvizje për të zbuluar të vertetën. Por deri në këto moment, paravrësisht këmbënguljes për të hetuar, nuk ka asnjë pistë konkrete se kush mund të jetë motive i plagosjes së gjyqtarit Gjermeni. Gjatë ditës së djeshme, policia deklaroi se pas ngjarjes Gjermeni është pyetur lidhur me motivet. Ai i ka qëndruar besnik versionit të tij se plagët prerëse në trup i ishin shkaktuar nga një llamarinë e cila ndodhej në garazhin e makinës, ku ai ishte duke punuar. Por për policinë ky variant nuk ishte bindës. Ajo vazhdoi të kryej hetime të mëtejshme. Në makinën tip Smart me të cilën gjyqtari Gjermeni u paraqit në spital, u gjend një shumë prej rreth 20 mijë euro. Deri në këto moment nuk ka asnjë shpjegim për origjinën e tyre. Nuk kemi asnjë deklaratë të gjyqtarit për shumën e parave që u gjet në kroskotin e makinës. E mbetur në këto kushte, policia ia ka deleguar të dhënat Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila është duke hetuar më hollësisht. Përparim Kulluri po merret me hetimin e kësaj çështje. Pritet që gjyqtari Gjermeni të thirret për të dhënë dëshminë e tij në prokurori. Para policisë së shtetit, Gjermeni është shprehur se do të shpjegoi gjithçka para prokurorisë. Ndërkohë ai këmbëngulë që çështja të mos vazhdoi.
Gjurmët e gjakut
Gjatë kontrollit të automjetit, policia përveç shumës së parave ka konstatuar edhe gjurmë gjaku. Një gjurmë e tillë është vërejtur në drën e makinës dhe të tjera në brendësi të saj. Policia dhe Prokuroria po hetojnë në disa pista ku njëra prej tyre është ajo e goditjes për shkak të detyrës, ndonëse nga ana e gjyqtarit është përjashtuar. Artan Gjermeni u paraqit mbrëmjen e së dielës reth orës 18:00 në Spitalin e Traumës me plagë prerëse në trup. Burime të policisë sqaruan se një plagë ai e kishte në dorë, një në qafë. Menjëherë u vënë në lëvizje strukturat e policisë për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Fillimisht u raportua se Gjermeni ishte plagosur me katër thika. Më pas policia njoftoi edhe versionin e gjyqtarit, i cili mohoi goditjen. Pak më vonë u tha se mes tij dhe personave për të cilët nuk ka asnjë të dhënë është zhvilluar një sherr banal dhe plagët të kenë qenë pasojë e këtij sherri. Në spital Gjermeni u shoqërua nga një i afërm i tij. Ndërsa familja u njoftua për ngjarjen përmes mediave. Për të mësuar më tepër detaje, policia ka marrë në pyetje djalin e gjyqtarit.