Serbia do të zgjedhë një parlament të ri, megjithëse partitë në pushtet kanë një shumicë të fortë në parlament. Me këtë hap kryeministri Vuçiç kërkon të zgjerojë dhe të zgjasë pushtetin e tij, thonë kritikët.
Për agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, lajmi erdhi papritur: kush është ai që zotëron një shumicë të rehatshme prej dy të tretash të votave në Parlament dhe i ka mendtë në kokë, që shpall zgjedhje të parakohshme parlamentare në mes të një periudhe legjislative? Por në Serbi i bëjnë ndryshe llogaritë. Qeverisë i duhet një mandat i plotë, në mënyrë që t’i përfundojë deri në 2020-ën të gjitha reformat e nisura, argumentoi kryeministri Aleksandar Vučić. Kjo në një kohë kur vlerat në sondazhe janë të pandryshuara: partia konservatore e përparimit mund të llogarisë të marrë gati 50 përqind të votave dhe së bashku me aleaten më të vogël, Partinë Socialiste ajo e ka të sigurtë sërish një shumicë të rehatshme mandatesh.
Premtime të paplotësuara
Me 208 nga 250 vende në parlament, qeveria mund ta shpallë të bardhën të zezë, thotë analisti politik Đorđe Vukadinoviçnë bisedë me DË. Por Vuç-i ka shkaqe të mira që të besojë se popullariteti i tij nuk do të mbajë gjatë: “Shpejt, premtimet e parealizuara do të kërkojnë faturën”, thotë analisti duke pasur parasysh me këtë premtimet që kanë dhënë qeveritarët për të ulur papunësinë, për të rritur pagat dhe pensionet dhe për të luftuar korrupsionin. “Premtimet e vjetra harrohen zakonisht kur vjen një cikël i ri: zgjedhje të reja, premtime të reja, afate të reja”, thotë Vukadinović. Në një sondazh të qendrës kërkimore të tij, vetëm 10 përqind e të pyeturve thanë se sot jetojnë më mirë se tri vjet më parë. Por më shumë se 40 përqind thonë se qeveria aktuale është më e mirë se e mëparshmja. Këtë situatë, vëzhguesit e shpjegojnë me faktin se qeveria i ka vënë nën kontrollin e saj mediet më me ndikim dhe i ka neutralizuar gazetarët kritikë. Edhe OSBE-ja e ka kritikuar disa herë këtë. Kështu që krijohet një realitet paralel me ngjyrë rozë, i cili e paraqet Vučić-in si reformator të palodhur. Kryeministrin mund ta akuzosh për shumë gjëra, i thotë DË edhe Zoran Stojiljkoviç nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd. Por një gjë duhet ta pranosh: Vuçiç-i është taktikan i shkëlqyer politik. ” Janë kushte gati unikale për qeverinë, që ajo ta përsërisë edhe njëherë rezultatin e mirë në zgjedhje. Prognoza ekonomike është edhe më tej e errët, do të ketë shkurtime në shërbimet publike, por partia në pushtet ka pozicion të mirë në medie dhe mund të mobilizojë shumë burime për fushatën elektorale”.
Provinca e Veriut dhe “provinca e Jugut”
Veç kësaj, Vuçiç-i dëshiron të pushtojë edhe kështjellën e fundit të Partisë Demokratike, e cila i drejtoi fatet e vendit deri në vitin 2012. Demokratët e përçarë u fundosën në vitin 2014 në vetëm gjashtë përqind mbështetje nga zgjedhësit, por vazhdojnë të qeverisin në provincën veriore të Vojvodinës. Në Vojvodinën që konsiderohet multikulturore konservatorët e kanë pasur të vështirë të sigurojnë mbështetje. Tani zgjedhjet kombëtare Vuçiç-i do t’i mbajë së bashku me zgjedhjet e rregullta, që do të mbaheshin gjithsesi në Vojvodinë. “Kështu temat lokale do të bien në rend të dytë”. Analistët e quajnë të mundur që Vuçiç-i dëshiron të sigurojë një mandat të ri, përpara se të kenë marrë vrull negociatat e sapohapura për anëtarësim me BE. Sepse në Bruksel prej Serbisë priten lëshime të tjera përballë Kosovës. Vërtet që Vuçiç-i përsërit si të gjithë politikanët tradicionalë në Serbi se Kosova është pjesë e pandarë e Serbisë. Por qeveria ka nënshkruar disa marrëveshje me ish-provincën jugore të mëparshme, të cilat shumë vetë i quajnë një njohje de facto të Kosovës.
Takim me babanë shpirtëror?
Aktualisht në parlament nuk përfaqësohet asnjë përfaqësues i vetëm i të ashtuquajturave “parti patriotike”, i forcave që synojnë një lidhje më të ngushtë me Rusinë dhe që e mallkojnë BE si organizatë kriminale që po “e largon dhe ftoh Kosovën serbe”. Në këtë kuadër mund të rikthehet i akuzuari për krimet lufte nga Tribunali i Hagës, Vojislav Shedhelj. Kryetari i Partisë Radikale serbe pret në atdhe vendimin e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë. Në vitet e përgjakshme ’90 Sheshelj-i bubullonte kundër kroatëve dhe boshnjakëve myslimanë. Njëri nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt në vitet e luftës ka qenë pikërisht kryeministri i sotëm Vuçiç. Në vitin 2008 ai u shkëput nga babai i tij shpirtëror dhe themeloi Partinë e Përparimit, me një agjendë proevropiane. Sipas medieve, zgjedhësit do të ftohen të votojnë në 24 prill. Do të pasojë një fushatë tremujore elektorale, fytyra të njohura do të kërkojnë mbështetje nga faqet e gazetave dhe në spotet televizive. Gazeta Blic botoi në numrin e saj të së hënës një montazh me fotografi, i cili i tregon politikanët e konsoliduar me gota shampanje përreth një bredhi të zbukuruar. Titulli: “Gëzuar zgjedhjet e reja”.