Përfundon me sukses procesi i asgjësimit të municioneve të tepërta, të panevojshme dhe jashtë nevojave të Forcave të Armatosura. Me këtë rast, në Uzinën e Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit, u organizua një ceremoni e veçantë, ku mori pjesë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, general major Jeronim Bazo, ushtarakë të lartë të FA-së etj. Ndodheshin gjithashtu edhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu, ambasadori i OSBE-së Florian Raunig, atashe ushtarakë të vendeve të NATO-s të akredituar në vendin tonë. Ministrja Kodheli në fjalën e saj në këtë ceremoni vlerësoi punën dhe angazhimin disa vjeçar për përmbylljen me sukses të sfidës madhore për asgjësimin e municioneve të tepërta, jashtë nevojave të FA-së dhe pa vlera përdorimi e financiare. “Shkatërrimi i municioneve të tepërta është arritje e rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe për sigurinë e stabilitetin rajonal. Këto municione ishin një bombë me sahat, e cila prej dekompozimit apo vetëndezjes një ditë mund të shpërthente dhe dëmtonte popullsinë dhe mjedisin”, theksoi ministrja. Në përfundim të fjalës së saj Kodheli tha: ”Suksesi në këtë proces na bën të ndihemi krenarë që kemi përmbushur një prioritet të rëndësishëm dhe kemi çliruar vendin tonë nga një rrezik për sigurinë e vendit tonë dhe rajonit. Si vend aleat i NATO-s dhe kandidat për BE, edhe në këtë mënyrë, ne po kontribuojmë jo vetëm për sigurinë rajonale, por edhe për mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së ambientit ku jetojmë”.