Parlamenti do të miratojë nesër përbërjen e plotë të Komisionit të Posaçëm për reformën zgjedhore. Pasi PD ka bërë publike emrat e saj edhe PS finalizoi dje këtë proces ndërsa është ende në negociata me LSI dhe PDIU. Socialistët do të përfaqësohen në Komisionin e Posaccëm me deputetët Bashkim Fino, Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, të tre anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Ndërkohë një anëtar do t’i lihet Lëvizjes Socialiste për Integrim, kur edhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, mësohet të ketë kërkuar një anëtar në Komision dhe deri më tani mes PS dhe PDIU vijojnë negociatat. Nga ana e saj PD tha se bashkëkryetar të Komisionit do të propozojë deputetin Oerd Bylykbashi, ndërsa anëtar do të jenë Gent Strazimiri, Eduard Halimi, Arben Ristani, ndërsa një anëtar do të vijë nga Partia Republikane.