Në Akademinë e Shkencave në Tiranë kanë nisur prej disa ditësh punimet për rikonstruksionin e godinës kushtuar “Librit Akademik”, që do të shërbejë si një destinacion i ri për të gjithë të interesuarit për librin shkencor. Akademiku Vasil S. Tole njëkohësisht sekretar shkencor në Akademinë e Shkencave tha për ATSH-në se ” ky projekt është nismë e Akademisë së Shkencave me mbështetjen e organizatës turke për bashkëpunim ekonomik dhe rajonal TIKA dhe është aprovuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Këshilli Kombëtar i Restaurimit”. Sipas tij, ky vend do të jetë një destinacion i ri për të gjithë të interesuarit, një “shtëpi” më shumë për librin shkencor në kryeqytet. “Është marrë një vendim që një ndërtesë të braktisur që ka pasur funksione të garazhit për makinat, por me një sipërfaqe të konsiderueshme rreth 300 metra katrorë të shndërrohet në godinën e librit akademik, duke parë që libri akademik në mënyrë të veçantë libri kërkimor shkencor që lidhet jo thjesht me produktin e akademikëve shqiptarë, por dhe të gjithë profesoratit, kërkuesve shkencorë nuk ka një vend do ta quaja fizik në Tiranë, ku njerëzit do të mund të vijnë të konsultohen, të shfletojnë , t’i lexojnë mundësisht në një ambient të përshtatshëm”, nënvizon akademiku Tole. Tole u shpreh se “punimet do të zhvillohen në dy faza dhe brenda tre mujorit të parë të këtij viti pritet që të përfundojë rehabilitimi fizik. Pas kësaj faze do të vazhdohet me fazën e dytë të pajisjeve të brendshme për të shërbyer dhe si një vend për promovime të librit, por dhe si vend ekspozimi librash dhe si vend të ruajtjes të librave”. Deri tani, vijon ai, librat e ASH kanë qenë në disa ambiente, jo të këtij standardi që po ndërtohet godina, por kanë qenë në ambiente të ruajtura, që nuk ka pasur mundësi ti prekë publiku. “Pra nuk kemi pasur një vend ekspozimi. Kjo e ndihmon shumë librin shkencor. Nuk është se ka pasur dëmtime të librit atje ku janë, por me këtë godinë bëhet fjalë për një ekspozitor, për një mundësi shfaqje që njerëzit vijnë në komoditete të caktuara, në kushte të përshtatshme vijnë dhe të kontaktojnë me të gjithë llojet e librave. Me anë të këtij projekti njerëzit do të gjejnë një mundësi për gjithçka që botohet për shkencën në Shqipëri”, tha Tole. ASH është ndër botuesit kryesorë të letërsisë shkencore cilësore në Shqipëri, për shkencën shqiptare. Botimet e saj përbëjnë një kontribut të vlefshëm, ato u përkasin shumë lëmenjve të dijeve shkencore dhe mbajnë firmat e emrave të njohur të botës akademike.Që nga themelimi i saj në vitin 1972 numërohen më shumë se 400 vepra, që kanë parë dritën e botimit dhe çdo vit botohen mesatarisht rreth 10-20 tituj , numër që ndryshon sipas fondeve në dispozicion si dhe propozimeve shkencore : fjalorë gjuhësorë dhe terminologjikë, fjalorë enciklopedikë, vepra normativizuese, monografi të ndryshme që dokumentojnë historinë apo zhvillimin e gjuhës shqipe., studime të historisë, letërsisë apo kritikës letrare, studime nga fushat e shkencave natyrore, që kanë si target lexuesin shkencor. ASH ka botuar një numër të madh revistash shkencore , kurse pas vitit 2007 boton dy periodikë revistën “Studia Albanica” dhe “Journal of Natural and Technical sciences”. E giithë kjo pasuri titujsh është e domosdoshme të ekspozohet dhe qarkullojë në mjedise të posaçme, shoqëruar edhe me klasifikime përkatëse dhe me materiale të tjera promovuese.