Përdori disa lecka të lyera me benzinë për t’i shpëtuar kontrollit të karabinierëve Italinë, por nuk ia hodhi dot. Madje 47-vjeçari Perlat Çarçani nuk pranoi fillimisht të ishte pjesë e lojës. Qentë antidrogë e zbuluan në kamionin e tij sasinë prej 450 kg marijuanë sapo shqiptari zbriti në portin e Brindizit. Çarçani ishte nisur nga porti i Vlorës për në Brindizi. Marijuana ishte ndarë në 300 pako. Në momentin e ndalimit ai ka mohuar të ishte në dijeni të ngarkesës por nuk ka bindur policinë italiane e cila e ka vënë në pranga. Kontrolle të tilla të policisë italiane në portin e Brindizit janë bërë më të shpeshta që nga sulmet terroriste ë Paris. Çdo ditë ka kontrolle të pasagjerëve që vijnë nga Shqipëria dhe Greqia. Mes automjeteve që zbritën nga trageti në orën 20 e 30 të mbrëmjes së të martës të nisur nga Vlora, ishte dhe furgoni i 47 vjecarit. Policia italiane nisi të dyshonte pas verifikimeve se i njëjti automjet kishte zbritur në portin e Brindizit dy herë të tjera në shkurt të 2015-ës dhe një herë në gusht të një viti më parë. Çarcani i tha policisë se e kishin paguar 250 euro për të shkuar në Pontasieve në Firence ku do të merrte udhëzime të tjera për transportin e moboljeve që do silleshin në Shqipëri. Ndërkohë dy shqiptarë janë arrestuar në Brennero të Italisë me 93 kg kokainë nga Guardia di Finanza. Mediat italiane raportojnë se kokaina e pastër e destinuar për shitje brenda Italisë kap një vlerë prej 18 milionë euro. Dy shqiptarët që lëviznin me një “Ford Kuga”, u arrestuan në kufi me Austrinë, e cila kishte dalë në një kontroll rutinë për të luftuar fenomenin e mallrave kontrabandë dhe refugjatëve. Gjatë kontrollit, agjentët e policisë vunë re disa modifikime në bagazh dhe si pasojë e kësaj patën dyshime. Droga ishte e ndarë në 83 pako dhe kokaina ishte e pastër. Dy shqiptarët janë identifikuar si G.E. 36 vjeç dhe M.A. 42 vjeç. Ata janë arrestuar dhe policia u ka sekuestruar tre celularë me karta të ndryshme SIM.