Artistët nga pjesa e Ballkanit Perëndimor do të hapin kësisoj ekspozitën “Normalities” në Austrian Cultural Forum në Nju Jork. Ekspozita është e kuruar nga Marko Lulic dhe Christine Moser ndërsa artistët pjesëmarrës janë Cäcilia Broën, Nemanja Cvijanović, Dušica Dražić, Flaka Haliti, Ibro Hasanović, Jelena Jureša, Jakob Lena Knebl, Irena Lagator Pejović, Armando Lulaj, Alban Muja, Damir Očko, Ana Prvački, Maruša Sagadin, Sašo Stanojkoviќ dhe Kerstin von Gabain. Punët që vijnë në këtë ekspozitë shkojnë përtej artit të një shoqërie post-konflikt. Punët vijnë në mediume të ndryshme, nga skulptura në fotografi, nga videoja në kolazh dhe në print, gjithmonë duke vënë në pikëpyetje normalitetin. Puna e Alban Mujës, shembull, merret me identitetin dhe emrat e qyteteve shqiptare që më pas kanë gjetur mishërim në emra njerëzish, sot, në Kosovë e në Shqipëri. Damir Ocko, në anën tjetër, e investigon dridhjen njerëzore si një mekanizëm të rezistencës në një kohë kur frika dhe pasiguria janë dukuri globale. Ekspozita merret me termin “Ballkan”, e siç shkruan në posterin e ekspozitës, Slavoj Zhizhek e quan një sinonim për fjalën “tjetër”, përdorur për tu ndarë nga fqinji, për tu dalluar nga ai, shkruan KultPlus. Ekspozita merret edhe me atë se çka do të thotë të jesh artist në shtetet të cilat kohë më parë ishin pjesë e një bashkësie të madhe, të quajtur Jugosllavi, dhe njëjtë edhe si mund të ruhet identiteti individual dhe ai kolektiv. Kjo ekspozite do të qëndrojë e hapur deri me 12 prill.