Deklarata nga selia e LSI-së/ Rama: Qeveria ta marrë më seriozisht se Venecian, raportin e FMN. S’duhet rrezikuar si në ‘97

0
149

luan rama

Gëzim Saliu

Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar për rrezikun financiar që i kanoset ekonomisë shqiptare solli dje reagimin e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama. Ky i fundit përmes një konference të posaçme nga selia e LSI-së theksoi se qeveria shqiptare duhet ta marrë më seriozisht se rekomandimet e Komisionit të Venecias raportin e FMN-së. Rama kërkoi lexim të përgjegjshëm të sugjerimeve të FMN-së dhe kujtoi se kur ato nuk lexohen drejt sjellin pasoja sociale si ato të vitit 1997. “Raporti më i fundit i FMN-së kërkon seriozitet dhe maturi në leximin e tij. Kërkon përgjegjshmëri në reflektim, sepse sa herë që ne kemi neglizhuar apo më keq akoma, sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet qëndrimin e FMN-së, atëherë jemi ballafaquar apo jemi ndeshur me fenomene krizash apo me situata të pakëndshme të zhvillim ekonomik dhe më tepër se kaq të zhvillim social dhe politik në vend. Më lejoni t’ju kujtoj këtu krizën e vitit 1997 apo edhe disa qëndrime të mbajtura përpara disa vitesh gjithashtu të papërgjegjshme në partneritetin dhe në bashkëpunimin me FMN-në”, deklaroi ai. Në këtë kontekst, Rama theksoi se paralajmërimi për rrezikun financiar që bën raporti, në thelb është një sirenë alarmi që kërkon reflektim të përgjegjshëm dhe konkret, “duke u rikthyer në konsekuencat, në politikat e konsolidimit fiskal të kontrollit të deficitit dhe të borxhit publik”.

Deklarata

Në nisje të deklaratës së tij, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se duhej të kishte një reagim zyrtar nga ana e qeverisë shqiptare për raportin e FMN-së. Duke theksuar se shpreson që qeveria do të reflektojë dhe do të reagojë në veprimin e saj konkret të politikave qeverisëse, Rama tha se në emër të LSI kërkoi të nënvizonte rëndësinë e veçantë dhe rolin specifik që ka bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si institucioni më i rëndësishëm që në vite ka ndihmuar, ka asistuar dhe ka mbikëqyrur nga afër për të gjitha hapat dhe politikat qeverisëse të qeverive shqiptare. “Për LSI-në bashkëpunimi dhe respektimi me rigorozitet dhe konsistencë i rekomandimeve të FMN është i rëndësishëm, është i detyrueshëm dhe nga kjo pikëpamje ne ofrojmë të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin për të bërë të mundur edhe pas raportit më të fundit të FMN-së, jo vetëm leximin, por ç’është më e rëndësishmja reflektimin e përgjegjshëm ndaj vërejtjeve apo konstatimeve që bënë raporti”, u shpreh ai. Më tej Rama bëri të ditur se një çështje tjetër për të cilën tërheq vëmendjen raporti i FMN-së është ajo që ka të bëj me transparencën fiskale. “Transparenca si një institucion, transparenca si standard i qeverisjes së mirë, transparenca si standard i komunikimit me qytetarin, është një vlerë e pakontestueshme, e pandryshueshme,e patjetërsueshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sepse është anormale, nuk është korrekte do të thoja, është gjithashtu, në vlerësimin tim, alarmante që siç konstaton raporti, 10 nga 36 rekomandimet e dhëna nga FMN-ja nuk po zbatohen në kuadër të transparencës fiskale”, pohoi ai. Po ashtu Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së foli edhe për pikën e raportit që lidhet me koncensionarët, pikërisht në ditën kur qeveria vendosi të japë me koncesion TVSH-në. “Gati 7 % e GDP-së është e dhënë për koncesion. Natyrisht që në vlerësimin tim dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim, partneriteti publik privat është një element i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, është një dimension natyrisht dhe një vlerë e shtuar në mirëqeverisjen, por në këtë partneritet nuk është e rëndësishme të ofrohet vetëm buxheti i shtetit në kontribut financiar, por edhe vetë privati të marrë përsipër të investojë dhe jo të jetë përfitues vetëm, por edhe bashkëkontribuues në këtë proces”, theksoi Rama duke përfunduar me thirrjen e ripërsëritur për qeverinë që të jetë më e ndjeshme dhe më e përgjegjshme kur është fjala për standardin e qeverisjes, për mirëqeverisjen dhe për shërbimin ndaj qytetarëve shqiptar.

Për çfarë fliste raporti i FMN-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar përmes një raporti bëri të ditur pak ditë më parë se Shqipëria ka ngelur në 8 nga 36 kritere që përdor për të matur transparencën fiskale të një vendi “Buxheti i miratuar shpesh është reduktuar ndjeshëm gjatë vitit për shkak të mungesës se te ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij. Raporti rekomandon që të krijohet një këshill i pavarur fiskal për të vlerësuar realizmin e parashikimeve ekonomike dhe fiskale të qeverisë. Shqipëria përballet me një sërë rreziqesh të mëdha fiskale, duke përfshirë pretendimet për kompensim për pronën e shpronësuar deri në 70 për qind të PBB-së, dhe një sektor të madh bankar me një përqindje të lartë të kredive me probleme”, thuhej në raport.