Në takimin e Forumit të Ekonomisë Botërore në Davos të Zvicrës, shkencëtarët koreano-jugorë sollën një robot, që ishte surprizë për të pranishmit: Ekspertët e Institutit të Shkencave dhe Teknologjisë të Koresë së Jugut, KAIST, paraqitën në Forumin Botëror të Ekonomisë një robot humanoid. Ata thanë se “Hubo” ishte projektuar “për t’i ndihmuar njerëzit të gjejnë lumturinë”. Drejtori i Qendrës për Kërkime mbi Robotin Humanoid në Institutin KAIST, Oh Jun-ho, tha se “ka objekte ku njerëzit nuk mund të hyjnë dot, sepse është tepër e rrezikshme”. “Një shembull i tillë ishin pasojat e fatkeqësisë bërthamore të Fukushimës, – tha Jun-ho, – ku robotët e tjerë dështuan”. “Ky në fakt është një robot humanoid”, – tha ai për Hubon, që fillimisht u prezantua rreth një vit më parë pas kërkimeve 10-vjeçare. “Robotët humanoidë janë ata robotë që ngjajnë shumë me njerëzit, që sillen si ata dhe lëvizin si ata. Pra, nëse është e mundur, roboti mund të bëjë çdo punë që bëjnë njerëzit,”– tha Jun-ho. Megjithatë, shton ai, ka edhe kufizime: roboti, i cili peshon 80 kilogramë, “në fakt nuk është i zgjuar”. “Brenda tij ka një kompjuter, i cili duhet të marrë udhëzime për veprimet e tij. Sapo operatori i jep një komandë, si për shembull, merr këtë, apo atë, roboti e bën”. Kur e pyetën nëse Hubo një ditë mund të vihet gjerësisht në zbatim, Jun-ho tha se “ka shpresë se një ditë ky robot do të mund të shkojë në Mars, ose në vende të thella, ku nuk mund të shkojë njeriu.”