Kosovë/ Parlamenti Evropian jep pëlqimin për MSA-në

0
184

 

eeeParlamenti Evropian në një seancë plenare e ka dhënë pëlqimin për Marrëveshjen e Stabilizim Asocijimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Nga gjithsej 754 parlamentarë, 468 kanë votuar pro MSA-së për Kosovën.

Në lidhje me MSA-në në Parlamentin Evropian është diskutuar mbrëmë, ndërsa votimi i sotëm më shumë ka qenë formal.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e cila është edhe raportuese për Kosovën në këtë institucion të BE-së, ka thënë mbrëmë në fillim të debatit, se MSA-ja është një akt historik në raportet në mes të Kosovës dhe BE-së si dokument i parë që rregullon raportet kontraktuale në mes të këtyre palëve.

Në debat ka marrë pjesë edhe komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Negociata të zgjerimit, Johannes Hahn.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë, ndërsa ka shprehur bindjen se ajo do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe tërheqjen e investimeve të huaja që do të ndihmojë në krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Pas dhënies së pëlqimit nga ana e Parlamentit Evropian, marrëveshja do të kthehet përsëri në Këshillin e Bashkimit Evropian ku duhet të merret vendimi për përmbylljen e saj.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi pasi të dyja palët, BE-ja dhe Kosova, ta kenë njoftuar formalisht njëra tjetrën për përmbylljen e procedurave përkatëse, gjë e cila pritet të ndodhë në prill apo në maj të këtij viti.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency