Raporterët e Komisionit të Venecias kanë nisur takimet në Tiranë për paketën e ndryshimeve kushtetuese të reformës në drejtësi.
Axhenda dy ditore e tyre, ka nisur sot në orën 11:00 me takimin me ekspertë të nivelit të lartë vendas dhe të huaj të Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi.
Takimi zgjati për rreth dy orë dhe mësohet se ekspertët e nivelit të lartë kanë njohur raporterët me mendimet e tyre për çështje të ndjeshme, si votimi i anëtarëve të institucioneve të drejtësisë.
Burime nga brenda takimit, thanë se për votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, raporterët e Venecias nuk kanë dhënë një mendim, por ata kanë dhënë propozime për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë dhe Këshillin Gjyqësor.
Sipas raporterëve, dy anëtarë tëKkëshillave duhet të jenë propozim i opozitës, ndërsa tre të shumicës qeverisës.
Burime thanë gjithashtu se raporterët e Venecias kanë propozuar që të mos ndërpritet mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual.
Në axhendë parashikohet që raporterët të kenë takim edhe me Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani dhe më pas me ekspertët e Partisë Demokratike, ndërsa nesër ata do të mbajnë një konferencë për shtyp.
Opinionin përfundimtar mbi draftin e rishikuar Komisioni i Venecias do ta përgatisë gjatë muajit shkurt dhe ai do të prezantohet në mars.