Projektzoluta e PD-së në nder të figurës së Rugovës, u kundërshtua nga PS. Brace e quajti atë “të turpshme dhe të padenjë”
Berisha ngre në këmbë Parlamentin, mes tyre edhe PS e LSI: 1 minutë heshtje për Rugovën
Sava Sota
Seanca e të enjtes në Kuvend nisi me diskutimet për rezolutën e depozituar nga Partia Demokratike në nder të 10-vjetorit të vdekjes së Ibrahim Rugovës. Teksa kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka tha se është i hapur për sugjerime për rezolutën, Erjon Braçe i PS-së e quajti këtë projektrezolutë “të turpshme dhe të padenjë as për fëmijë të klasës së 9-të”.
Ndërkaq, Paloka deklaroi nw fjalwn e tij se,: “Ne e menduam në formën e një rezolute, por nëse ka diskutim siç ndodhi dhe në Konferencën e Kryetarëve, qoftë me kërkesat e kësaj rezolute për një shtatore të presidentit Rugova në Tiranë, ne jemi të hapur për t’i diskutuar dhe nuk mendoj se mud të bëhen shkak që ky parlament të mos ndërmarr një hap në 10-vjetorin e humbjes së presidenti Rugova për të treguar vlerësimin tonë ndaj një figure kaq të ndritur”. Por, deputeti socialist Erjon Braçe si kundërpërgjigje ndaj Palokës tha se është në shproporcion total qoftë në reshta, qoftë dhe në përbajtje. “Për më tepër kur nuk ka ndodhur që shqiptarët të vendosin në diskutim legjitimitetin e veprimtarisë së presidentit Rugova siç ndodh më këtë rezolutë që pas 10 vitesh nga ndarja nga jeta na tregon të vlerësojmë dinjitetin e Rugovës”, deklaroi Brace. Ndërkohë debati në seancën e djeshme vazhdoi sërish me reagimin e Palokës, i cili tha: “Unë besoj se teksti i paraqitur prej nesh i kësaj rezolute, arsyeja për të mos ndërmarë një hap sot në Parlament në 10-vjetorin e humbjes së jetës së presidentit Rugova nuk mendoj që pavarësisht fakteve, historisë që ka pasur dhe nga ata që e kanë quajtur tradhtar, po nuk po i hyjmë atyre. Hajde ta gjejmë mënyrën si të doni, daç me komision të jashtëm, daç me forma të tjera për ta ndërmarrë këtë hap”. “Teksti i turpshëm, i padenjë, as për fëmijë të klasës së 9-të. Së bashku me këtë kërkesën komunale përpara, që paska që nga maji i vitit 2014, që nuk zbatohet në bashkinë e Tiranës”, vijoi Braçe. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm ka refuzuar ta marrë në shqyrtim projektrezolutën e PD-së, ashtu siç u propozua në seancën plenare, ndërsa PD-ja insistoi në vendosjen e shtatores së Ibrahim Rugovës në një nga sheshet kryesore të Tiranës. Nga ana tjetër, me kërkesë të Sali Berishës, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të ish – presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Deklarata e Bashës
Me mirënjohje përkujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, liderin vizionar, nismëtarin e lëvizjes madhore për liri, arkitektin e Kosovës së pavarur. Vizioni dhe vendosmëria e Presidentit Ibrahim Rugova janë guri i themelit mbi të cilin u ngrit shteti i pavarur e demokratik i Kosovës, i cili po konsolidohet çdo ditë e po rreshtohet krah për krah shteteve të tjera demokratike të botës. E s’ka lajm më të mirë që mund t’i jepej Kosovës në këtë ditë se miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Parlamenti Europian, duke e sjellë një hap përpara drejt bashkimit me familjen europiane, një hap më pranë realizimit të ëndrrës dhe vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova. Në këtë ditë do të doja shumë që Tirana, kryeqendra e kombit të kishte shtatoren tashmë gati të Presidentit Rugova. Vendosja e kësaj vepre mund të vonohet por askush nuk do t’ia mohojë dot Tiranës përjetësim e mirënjohjes mbarëkombëtare për veprën e pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova.