Parlamenti austriak/ Kriza politike në Kosovë, Vavrik: Uluni në tryezën e bisedimeve

0
218

kristoDeputetët e Parlamentit austriak kërkojnë nga klasa politike në Kosovë të zgjidhë krizën institucionale nëpërmjet dialogut. Deputeti Christoph Vavrik i cili në cilësinë e kryetarit të grupit të miqësisë Austri-Kosovë tha të enjten në Prishtinë se shpreson që të gjitha partitë të ulen në tryezën e diskutimit në mënyrë që viti 2016 për Kosovën të jetë më i mirë se viti që shkoi në aspektin e angazhimit për punë parlamentare. Ai këto komente i bëri pas takimit me deputetë nga radhët e pozitës dhe opozitës, anëtarë të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Integrime Europiane. “Mbështetjen e ka të sigurt në krijimin e shtetit, në integrimin dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Me të dyja komisionet kemi biseduar për shumë tema, natyrisht për politikë të jashtme dhe të brendshme. Dhe duhet të theksoj që ne jemi të lumtur që patëm mundësi të takojmë jo vetëm qeveritarët, mirëpo takuam edhe deputetë të opozitës. Natyrisht jemi të vetëdijshëm për situatën e vështirë politike në Kosovë, prandaj dëshiroj të theksoj shpresën time që pasi ne të shkojmë në Austri të gjitha partitë të ulën në tavolinën e njëjtë dhe kështu viti 2016 parlamentar të ketë një fillim më të mirë se fundi i vitit 2015”, deklaroi Christoph Vavrik. Përveç krizës politike, tema të tjera si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në institucione ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Europës, ishin pjesë e diskutimit me delegacionin austriak. Për deputetët kosovarë shqetësues mbetet fakti që Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën drejt forcimit të shtetësisë së saj. “Liberalizimi i vizave ishte përsëri një pikë shumë e rëndësishme për të cilën diskutuam dhe për të cilën delegacioni austriak shprehi interesimin që të përkrahë Kosovën në këtë rrugë. Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar apo edhe sfidat nëpër të cilat po kalojmë, pengesat nëpër të cilat po hasin institucionet e Kosovës nga aktivitetet e Serbisë ishin edhe një pikë në të cilën u diskutua dhe i treguam delegacionit nga Austria, se cilat janë pikat dhe çfarë pengesa po ballafaqohet shteti i Kosovës nga aktivitet jokonstruktive apo më mirë të them negative nga ana e Serbisë. Në të njëjtën kohë kërkuam edhe një ndihmë shumë aktive në Këshillin e Europës, sidomos edhe javën e ardhshme ku do të jetë edhe votimi i rezolutës dhe i amendamenteve dhe morëm përkrahje”, u shpreh kryetrja e Komisionit për Integrime Europiane, Teuta Sahatqija. Vizita e delegacionit austriak në parlamentin e Kosovës bëhet në kohën kur Kryesia e Kuvendit ende nuk ka vendosur për datën e mbajtjes së seancës së parë parlamentare për këtë sesion për shkak të krizës institucionale në të cilën është përfshirë Kosova që nga gushti i vitit të kaluar.