Nga Artan Fuga
Edhe nga paaftësia menaxheriale, veç interesave egoiste për përfitim.
Nga perceptimet dhe përjetimet që sjellin këtu përdoruesit e transportit publik në Tiranë del se ai le shumë për të dëshiruar, ku sigurisht ka edhe përjashtime, madje edhe ndonjë rast për lavdërime sikurse flitet për linjën Kinostudio-Kombinat, etj.
Gjendja e brendshme e autobuzëve jashtë standardeve për një konsumator dinjitoz. Dendësia e udhëtarëve shtypëse. Sjellja dhe kujdesi në drejtim e automjetit nga shoferët, shpesh herë fyese. Vonesat dhe mungesa e informacionit për udhëtarët e ulur në shesh. Respektimi i orareve dhe saktësia e tyre, as që pretendohet.
Ja disa nga problemet.
Atëhere si shpjegohet që ndërsa cilësia e shërbimit është përtokë, saqë nganjëherë më duket sikur luhet një film me çifutë që po i çojnë për t’i djegur në Mathauzen, çmimi botëror i naftës është ulur, fuqia blerëse e qytetarit nuk është rritur, nuk ka as ndonjë inflacion të dukshëm, autoritetet lokale bashkiake pranojnë dhe na legjitimojnë rritjen e çmimit të biletave të transportit urban?
Parë kështu, ekonomikisht, kjo do të dukej si një paradoks i paparë.
Pra, nuk ka asnjë arsye ekonomike, lepuri fle gjetiu. Kjo ndodh sepse ekonomia urbane, sikurse është edhe industria e transportit, ka një model gjysëm feudal ku përzjehen qumështi me uthullën, interesat e pushtetit, trafiqet elektorale dhe arsyet dhe logjika ekonomike. Prej këtej nuk del veçse një komedi paradoksale. Masat popullore vetëm për bileta transporti duhet të harxhojnë gati një të njëzetën e të ardhurave mujore, nëse kanë të tilla sigurisht. Lëre pastaj me të tjerat.
Kjo vjen nga keqkonceptimi i kësaj kafshe urbane stërmadhe si Tirana që është modeluar keq. Sidomos përqendrimi i shërbimeve në qendër të qytetit ose brenda unazës i detyron njerëzit të marrin rrugët dhe të bredhin gjithë ditën nga një cep te tjetri. Madje edhe Pema e Vitit të ri dhe zbukurimet e rastit janë përqendruar në qendër. Pa hequr privilegjimin e qendrës, këtë fasadë hipokrite, numri i udhëtarëve do të shtohet artificialisht, çka ushtron presion mbi rritjen e çmimit të biletave.
E dyta, paratë tona nuk mendohet të shkojnë në ndërtimin e infrastrukturave të fuqishme rrugore, po hapërdahen në dhjetra projekte idiote ku hidhet zhavor, kripë, kot më kot, dhe ndonjë shtresë zift akseve ekzistuese. Pastaj u kërkojnë shoferëve të respektojnë oraret… Autobuzët harxhojnë pa fund karburant dhe kohë pikërisht se akset rrugore janë të zënë. Pa mbikalime të mëdha në disa nga pikat kyçe të Tiranës, gjithçka që premtohet për transportin nuk është veçse propagandë e mbushur me optimizëm iluzor djaloshar. E në këtë rrëmujë urbane sigurisht që mjetet harxhojnë më shumë karburant, konsumohen, etj., që sigurisht rrit shpenzimet e kompanive.
E treta, cmimi është i lartë edhe nga pikëpamja se shërbimi është i ulët, pra cilësia e “mallit” të blerë është në nivelin minimal. Ky është respekti i politikës për qytetarin. E mo le të fërkohen pak me njeri tjetrin në autobuz! Aq sa më kujtohet ajo barcaleta e komunizmit kur një grua i tha një burri me tallje : “O shoko po të rritet rroga!”
Stacionet e autobuzave për ibret, jashtë në shi e borë, vende për t’u ulur nuk ka, shenja qarkullimi nê tokë nuk ka, kush po kërkon tabela elektronike dhe njoftime për orarin e autobuzave, le më pastaj kontrollor automatik biletash në autobuz, që kudo sot në botë janë gjëra elementare. Autobuzat nuk janë të pajisur me antena gjeolokolazimi për të kontrolluar vendodhjen dhe trajektoren e tyre në qytet.
E katërta, transporti urban në Tiranë administrohet pa një nga kriteret kryesore të ekonomisë moderne sikurse është konkurrenca. Zonat dhe linjat e transportit janë shpërndarë si feudet në kohën e perandorisë otomane, ku feudi jepej për merita në luftë, ekskluzivisht dhe mund të të hiqej vetëm nëse nuk respektoje rregullat e vasalitetit. Në vend që së paku cdo linjë të ketë dy kompani konkurrente që të garojnë për cilësi dhe cmim, në vend që linjat të kryqëzohen dhe të sipërpozohen duke dhënë shumë alternativa udhëtimi për qytetarin, në vend që në treg të operojë edhe një agjenci publike transporti, jo, jo, një linjë ka marrë licencën për një trajektore urbane dhe e ushtron atë të drejtë sikur të zotërojë një pronë spahinjsh apo bejlerësh. Lëre që linjat janë shumë të gjata nga tahmaja për të rrëmbyer sa më shumë, ndërkohë që kështu kompromentohen edhe udhëtimet në linjat e shkurtra duke i vendosur në varësi të linjave të gjata.
Janë përqendruar në duart e pushtetit dhe janë bërë monopol politik edhe shërbimet taksi. Kurse furgonët e shpejtë dhe të saktë për kushtet tiranase u nxorrën nga qarkullimi sepse si duket ulnin fitimet e kompanive të mëdha të transportit.
Nuk ka përse numrin e furgonëse ose taksive e përcakton pushteti politik lokal në Tiranë. Mjafton të vendosen standardet e shërbimit, të kontrollohen rreptësisht ato, dhe pastaj kush i plotëson le të ofrojë shërbim taksi, mikrobuzi, për transport madje sipas linjave që dëshiron. Vetëm shumëfishimi i mjeteve të transportit e mban çmimin dhe cilësinë e shërbimit të lartë dhe jo përcaktimi i çmimeve të transportit, domateve, preshëve nga pushteti lokal, nga kryesia, nga këshilli politik i qytetit.
Përndryshe, brenda linjave monopol, operatorët për një mijë arsye të fshehta dhe të hapura, do t’i imponojnë bashkisë, me ose më shumë edhe me dëshirën e saj, çmimet që nisen nga fitimi maksimal në kurriz të qytetarit.
Së pesti, shpërndarja e licencave për linjat kryesore të autobuzëve urban duhet t’i nënshtrohet gjithashtu konkurrencës, jo t’i dekretojë kryetarët e qytetit, fshatit, lagjes, a rajonit, sipas qejfit të tyre, mbështetur në justifikime idiote që përdorin gjoja si pretekste për të na hedhur ne syve hi vartësit e tyre servila dhe të paaftë. Ankand, jo koncesion si nga koha e timareve otomane. Ankand për linja të shkurtra, konkurrenciale duke e ndarë tregun me disa mbivendosje.
Atëhere gjithçka do të vihej në baza menaxheriale urbane si duhet?. Deriatëhere ne do të hamë vetëm propagandë voluntariste, me lugë të zbrazët, dhe mbase kështu marrim ca kënaqësi. Qenan K. më thoshte : E mo se ju vetë doni të fërkoheni një çikë nëpër autobuza!