Sytë e tu, sytë e tu/ me gjithë dritat që kam parë/ me gjithë yjet rreze ar/ me gjithë lumë, liqene blu/ shëmbëllejnë sytë e tu…
Ky është refreni që bëri bujë në vitin 1989, teksa u këndua nga Frederik Ndoci. Por, përveç debutimit në festival, kjo këngë është ndër të rrallat e asaj kohe që iu realizua edhe një videoklip.
Ishte një femër nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi” që u përdor si modele e klipit, të cilën Frederik Ndoci e përshkruan si “bukuri e rrallë”. Dhe kjo bukuri ishte Xhoana Nano, e cila vite më pas u bë bashkëshortja e Kryeministrit Fatos Nano.
“Xhoana ishte në sintoni me këngën dhe me sytë e saj të thellë. Klipi u realizua me mjaft sukses. Ajo ishte një bukuri e rrallë e asaj kohe që iu bë vlerë e shtuar këngës”, thotë Frederik Ndoci, ndërsa peng i ka mbetur që ky videoklip nuk po gjendet më.
“E kam kërkuar unë videoklipin, por edhe vetë Xhoana e ka kërkuar dhe nuk është gjetur. Nuk e di pse ka humbur”, çuditet Frederik Ndoci.