Shërbimi i ofruar për qytetarët në zyrat e hipotekës dhe problematika në këtë sektor, kanë nxjerrë në një konferencë për mediat ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani.
Manjani nisi fjalën duke deklaruar se ka patur ankesa nga ana e qytetarëve për shërbimin e munguar në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
“Ka vonesa dhe shqetësime të qytetarëve. E kuptoj që nëpunësit kanë vështirësi dhe në disa raste nuk kemi burimet e nevojshme njerëzore, por e theksoj që ne do të kemi zero tolerancë për atë që shkel afatet. Kushdo qoftë zyrtari që kapet në shkelje afatesh nuk mund të shërbejë më në ZRPP”, tha Manjani.
Një tjetër problematikë e trajtuar nga ministri i Drejtësisë ishte edhe çështja e korrupsionit. Ai tha se i është kërkuar Prokurorisë dhe gjithë agjencive të tjera shtetërore që të rrisin aftësinë provuese kundrejt çdo zyrtari të zyrave të hipotekës që kërkon para.
Në fund, Manjani bëri publik edhe një urdhër të shpërndarë për të gjitha zyrat e regjistrimit, ku bën të detyrueshëm bashkëpunimin me zyrat e legalizimeve.
“Për të gjithë drejtuesit e zyrave vendore e them që janë të detyruar, që duhet të bashkëpunojnë me detyrim me zyrat e ALUIZNI-t për të ndërtuar punë të përbashkët me një hartë të përbashkët. Harta zyrtare që do të përdoret për tituj pronësie do të jetë harta e ALUIZNI-t. Kushdo që e refuzon këtë do të mbajë përgjegjësi zyrtare, ligjore dhe kushtetuese”, u shpreh Manjani.