“Krerët e partive të largojnë politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale, votuesit mos pranojnë para për votën e tyre dhe mos votojnë kriminelë”
Gëzim Saliu
Ambasadori i SHBA-së në vend Donald Lu deklaron se në zgjedhjet e fundit vendore pati njerëz që tentuan të frikësojnë votuesit si edhe raste të provuara të blerjes së votës. I ftuar në tryezën e reformës zgjedhore të organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, ku ishin të pranishëm dhe tre krerët e partive kryesore parlamentare, ambasadori vuri theksin tek zbatimi i dekriminalizimit duke theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR brenda këtij viti. “Kur vizitova qendrat e votimit në Shqipëri gjatë zgjedhjeve vendore të verës së shkuar pashë më së shumti të njëjtën gjë: Persona që punonin shumë sikurse nëna ime, të përkushtuar ta bënin punën sa më mirë të mundnin. Punonjësit me të cilët u takova ishin njerëz të zakonshëm,ndaj unë u inatosa kur pashë militantët e partive që kërkonin të minonin punën e këtyre vullnetarëve të ndershëm në qendrat e votimit. Disa ambasadorë të BE dhe unë pamë grupe të mëdhenj gangsterësh të rinj në moshë jashtë qendrave të votimit që dukshëm donin të frikësonin votuesit. Shumë njerëz na dhanë prova të blerjes së votës dhe votimit në grup. Dhe sikurse e dimë disa prej kandidatëve kishin të shkuar të turpshme kriminale. Abuzimet zgjedhore janë një tratativë ndaj demokracisë shqiptare. Këto çështje zgjedhore u vërejtën në vlerësimin e zgjedhjeve të ODIHR i cili gjithashtu lavdëroi punën e mijëra punonjësve në qendrat e votimit që punuan me nder ditën e votimit. SHBA mbështesin fuqimisht reformën e mbështetur në rekomandimet e ODIHR. I bëjmë thirrje Kuvendit ti zbatojë ato këtë vit”, deklaroi kryediplomati amerikan në Shqipëri.
Thirrja
Në deklaratën e tij në tryezën ku në krah kishte kryeministrin Rama, kreun e Ku8vendit Meta dhe kryetarin e opozitës Basha, ambasadori amerikan nënvizoi edhe rëndësinë e zbatimit të ligjit të dekriminalizmit, ndërsa kërkoi nga qytetarët të mos votonin njerëzit e inkriminuar. “Udhëheqësit duhet të bëjnë më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale dhe të mos i vendosin fare emrat e tyre në fletët e votimit. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte një hap i rëndësishëm por tani është po kaq i rëndësishëm zbatimi i plotë i ligjit të dekrimininalizimit. Votuesit shqiptarë kanë nevojë të marrin përgjegjësinë për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë. ”, tha ai. Po ashtu kryediplomati amerikan tha se partitë politike kanë nevojë të marrin seriozisht detyrimin për të siguruar transparencën e financave partiake. “Kemi parë një parti që ka bërë të ditur planin për transparencë të financave të saj. Nxisim, të gjithë partitë politike të prezantojnë auditin ndërkombëtar të financave të partive dhe të fushatave të tyre dhe ti bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve”, u shpreh Lu.