Rama: Depolitizim komisioneve. Meta: Duhet pranuar humbja. Basha: Problem lidhja krim-politikë

0
254

tryeza per refoprmen zgjedhoreAsnjë shtrëngim duarsh e asnjë bisedë mes kryeministrit dhe kryedemokratit, Meta-Basha takim dhe buzëqeshje kortezie

Gëzim Saliu

Liderët kryesorë të politikës në vend ishin dje në një tryezë të përbashkët për të diskutuar mbi reformën zgjedhore. Në tryezën e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë merrnin pjesë kryparlamentari Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, të cilët folën për korrupsionin në zgjedhje, sistemin elektoral, financimin e fushatave si edhe reklamat. Para nisjes së takimit u vu re një klimë pozitive, ku pas takimeve dhe bisedave me buzëqeshje mes kryedemokratit Basha dhe ambasadorit amerikan Donald Lu, nuk mungoi as shtrëgnimi i duarve mes kreut të PD-së dhe kryetarit të LSI-së Ilir Meta. Por kjo gjë nuk ndodhi me dy liderët kryesorë të politikës në vend, kjo pasi kryeministri Rama jo vetëm që shmangu bisedën me rivalin e tij politik, por as nuk shtrëngoi duart me të. Kreu i qeverisë preferoi të takonte vetëm aleatin e tij të cilin e vlerësoi për frymën e konsensusit që po përcjell lidhur me reformën zgjedhore.

Deklaratat

Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se konsensusi është i domosdoshëm, megjithëse nënvizoi se i qëndron bindjes së tij se ai mund të mos sjellë rezultatin më të mirë të mundshëm. Kryeministri garantoi se reforma zgjedhore nuk do të jetë produkt vetëm i shumicës, ku ndërkohë artikuloi kërkesën për një administratë zgjedhore të depolitizuar. “Elementi i parë është nevoja për të kapërcyer traditën dhe për të depolitizuar komisionet zgjedhore. Jemi sot në kohë për ta bërë këtë hap. Ky hap është kërkuar dhe nga partnerët ndërkombëtarë. Nevojë të depolitizojmë komisionet zgjedhore. Nëse për të gjithë reformat e tjera konsensusi është i dëshirueshëm por jo i domosdoshëm për këtë është i domosdoshëm. Reforma zgjedhore duhet të garantojë palët”- deklaroi kreu i qeverisë. Nga ana tjetër Rama u ndal edhe tek çështja e reklamave elektorale, ku gjeti edhe gatishmërinë e kreut të opozitës. “Është pjesa më e shtrenjtë e fushatës zgjedhore dhe është pjesa më e errët në shumë aspekte. Besoj se për ne është e nevojshme të bëhet një diskutim pasi nuk do të ishte në këndvështrimin tim e paudhë që ta shkurtonim këtë zë në shpenzimet e fushatës dhe të lehtësonim barrën e madhe financiare që ky zë ka për partitë që janë seriozisht në garë”, tha ai. Ndërsa kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në fjalën e tij ka thënë se ka bërë vetëm detyrën kur ka ndërmarrë nismën për fillimin e punës për impelementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR.  “Shpresoj se do të kemi kohë dhe vullnetin politik që të përfundojmë këtë reformë para zgjedhjeve të vitit 2017”, pohoi ai. Më tej Meta ka nënvizuar se kjo reformë duhet të realizohet në kohën e duhur, duke u lënë të gjithë faktorëve të përfshirë kohën që i nevojitet.  “Kjo reformë po zhvillohet në një kohë kur ne besojmë se me përpjekje të përbashkëta do realizojmë edhe reformën në drejtësi. Këto reforma po i bëjmë më partnerët tanë, SHBA, BE dhe OSBE, që na kanë ndihmuar historikisht”. Duke komentuar zgjedhjet e zhvilluara ndër vite, Meta ka vlerësuar se nga njëri proces në tjetrin ka pasur progres, por korrupsioni zgjedhor sipas tij vazhdon të jetë i pranishëm.  “Ne kemi probleme serioze që duhet të adresojmë për zgjedhjet dhe dekriminalizimi është një element që do të na ndihmojë në këtë drejtim. Gjithashtu, duhet të krijojmë një sistem sa më transparent. E rëndësishme është edhe të pranojmë humbjen dhe të mos nxjerrim justifikimin e radhës”- deklaroi kryeparlamentari i cili tha se kjo reformë është shumë e rëndësishme të bëhet me reformën në drejtësi. Nga ana e tij kryedemokrati Basha tha se lidhja e krimit me politikën është problem më i madh dhe më unik i korrupsionit zgjedhor. “Kjo tryezë dhe hapat që do të hedhin pas kësaj janë vendimtare nëse konfirmohet vullneti politik për të shkuar më tej se germa e ligjit, për të pastruar listat e ardhshme nga persona të inkrimuar . Jo vetëm çështja e reklamave, për të cilën bie dakord me kreun e PS-së por për çdo çështje financimi duhet të futet nën lupën e reformës zgjedhore. Të kriminalizojmë çdo donacion që vjen në mënyrë private për të blerë me 5 lekë tenderin e ardhshëm. Modele  ka s’kemi pse ti shpikim. Është emergjente të nisim me korrupsionin zgjedhor , të japim një zgjidhje radikale të qëndrueshme dhe afatgjatë”, deklaroi kreu i PD-së. Sipas Bashës 2015 ishte skema e implementimit të blerjes industriale së zgjedhjeve. “Vota që bliheshin, karta identiteti që bliheshin për të mos shkuar në votim, kjo është më e keqe se blerja e një vote sepse anulon të drejtën e votës”, theksoi ai. Më tej Basha tha se sot blihet vota, t karta, komisionerët, mediat, aktorët e shoqërisë civile dhe madje sipas tij blihen edhe “badge” vëzhguesish për të mbushur qendrat e votimit me militantë e shpeshherë me kriminelë e persona në kërkim. “Kur s’mjafton kjo përdoren burime shtetërore, përdoret ligji i amnistisë që miratohet me mandate të blera, ndryshohet në mënyrë të njëanshme pa konsensus ndarja territoriale. Ky është pushteti i fituar me çdo çmim”, nënvizoi ai. Po ashtu Basha theksoi se korrupsioni zgjedhor është vetëm një aspekt i korrupsionit politik. “Pushteti me çdo kusht prodhon korrupsionin politik, ky pjell korrupsionin zgjedhor që blen pushtetin. Pushteti i korruptuar prodhon mega korrupsionin e tenderave, të ankandeve, të koncensioneve. Ky është modeli i shtetit mafioz-oligarkik ku nuk ka më demokraci por ka një merkato”. Duke theksuar se prania e tij në tryezën e djeshme ishte shenjë vullneti për reformën, Basha nuk nguroi të theksonte se nuk ka asnjë tërheqje të opozitës. “Nuk dua të abuzoj me këtë tavolinë për ti rikthyer këtyre denoncimeve, por kjo qeveri  nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Prandaj një parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një qeveri teknike”. Në diskutimin për korrupsionin zgjedhor organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, ishte thirrur edhe presidenti i Republikës Bujar Nishani, i cili nuk mori pjesë në takim.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency