22 familje në lagjen “3 heronjtë” në Shkodër janë përplasur me permbarimin, teksa këta të fundit janë paraqitur sot për të ekzekutuar urdhrin e lirimit të banesave.
22 familjeve që kanë ndërtuar shtëpitë në këtë zonë, u ka dalë pronari i truallit.
Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje në mbështetje të përmbarimit, teksa banorët deklarojnë se nuk dalin gjallë nga banesat. Ata u bëjnë thirrje të tërhiqen.
Banorët kanë vendosur në hyrje të rrugës që të drejton në shtëpitë e tyre gurë dhe letra përmes të cilave kundërshtojnë vendimin.
Ata vazhdojnë ti rezistojnë ekzekutimit të urdhrit të përmbarimit që duhej të realizohej sot, pasi ka pasur edhe një urdhër të mëhershëm por që nuk është ekzekutuar.
Ndërkohë një 15 vjeçar është shoqëruar në komisariatin e Shkodrës pasi ka shtyrë Shefin e komisariatit.
“Nga informacionet që unë kam nga drejtuesit e policisë së Shkodrës, 15 vjeçari është shoqëruar por brenda pak minutash do të lirohet pasi ka qenë një tension i momentit, por pa incidente të tjera deri në këto momente”informoi nga Shkodra korrespondenti ynë Bepin Kolvataj.
Familjarët e 15 vjeçarit kërkojnë lirimin e të miturit. Sipas tyre, shefi i komisariatit e provokoi djalin e tyre ndërsa protestonin.
Të vendosur prej vitit 1997 në këtë zonë, këta banorë u bënë pjesë e proçesit të legalizimit në 2006-en, por 5 vite më pas pikërisht në 2011-en janë thirrur nga prokuroria pasi pronari Nikolin Kujxhia kishte hapur një gjyq për marrjen e truallit të tij.
Banorët akuzojnë se prona është blerë me korrupsion në dyert e gjykatave.
Para viteve 97′ këtu ishte zonë gjeologjike, por pas trazirave ku u mbyllën të gjitha industritë në këtë zonë, objektet u kthyen në shtëpi banimi.