Pas deklaratave kundërshtuese mes dy figurave krysore të LSI-së lidhur me qëndrimin për raportin e FMN-së, sekretari i Përgjithshëm i kësja force sqaroi dje se ai flet në emër të partisë. Në nisje të deklaratës së tij, Rama tha: “Së pari më lejoni të bëj të ditur që jam në këtë konferencë shtypi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së dhe me të gjitha atributet e përfaqësimit politik të detyrës që përfaqësoj”. Ndërkaq lidhur me konferencën për shtyp për raportin e FMN-së ku përcolli një sërë kritikash për qeverinë, Rama theksoi se,: “kam thënë dhe po e përsëris, që për Lëvizjen Socialiste për Integrim është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi dhe partneriteti me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me çdo organizëm ndërkombëtar që është partner në Shqipëri apo me të cilin Shqipëria është e detyruar që të punojë për të përmbushur reforma të rëndësishme drejt procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”., Më tej duke ju referuar edhe qëndrimit të mëpasshëm të Petrit Vasilit, Rama tha se,: “Unë di të ndaj, edhe në konferencën e kaluar për shtyp kam thënë për episode të veçanta, mendimi im apo qëndrimi im është ky dhe kam cituar qëndrimin që unë e ndaj nga qëndrimi im si përfaqësues politik i LSI-së. Pra, kur është qëndrimi i LSI-së unë them qëndrimi zyrtar i LSI është ky, dhe kur është qëndrimi im si Luan, them qëndrimi im personal është ky”. Ndërkaq sekretari i përgjithshëm i LSI-së foli edhe lidhur me gjyqin me gazetën “RD” ku theksoi se forca ku ai bën pjesë kërkon vazhdimin e seancave për të zbuluar të vërtetën. “Përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar gazeta “RD” ka botuar një shkrim të pavërtetë, për të ashtuquajturin fenomen të blerjes së votës apo të shitjes së votës nga militantë, simpatizantë etj., të LSI-së, në Shkodër. Mbrëmë në një transmetim televiziv, edhe sot në Rilindjen Demokratike, Bledi Kasmi thotë që LSI-ja na paditi dhe LSI-ja kërkoi pajtim. Edhe një herë theksoj se pajtimi është procedurë normale ligjore, që kërkohet nga drejtuesi, nga kryetari i seancës, nga gjyqtari. E dyta, nëse LSI-ja do të kërkonte pajtimin, e kishte të zgjidhur çështjen, sepse ne kemi bërë padi, tërheqim padinë dhe çështja pushohet. Dhe praktikisht pajtimi është i zgjidhur në këtë rast”, tha ai.