Debatet për koncesionet dhe partneritetin privat-publik dominuan një pjesë të mirë të seancës parlamentare, ku Opozita akuzoi qeverinë se ka ngritur një skemë abuzuese. “Ministria e Ekonomisë ka përgatitur një paketë me rreth 70 koncesione për t’ia dhënë sektorit privat, vlera totale e të cilave kap shumën 3 miliardë eurove. Proceset e dhënies së koncesioneve deri më sot kanë qenë jotransparente, të mbyllura dhe të paracaktuara, duke nxjerrë si fitues njerëz afër qeverisë dhe kryeministrit, e për më keq, kanë krijuar monopole në sektorët ku janë dhënë”, tha Edmond Spaho. Ndërkaq Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj iu referua akuzave të opozitës për hidrocentralin e Skavicës, ndërsa tha se fusha e energjisë ishte ajo, në të cilën qeveria e të djathtëve dha 161 koncesione. “Janë 161 koncesione që keni bërë në energji, nga të cilat vetëm një e treta funksionon, e që kanë shkatërruar buxhetin e shtetit me domosdoshmëri dhe nevojë për garanci buxhetore. Dhe mbi të gjitha, nuk kanë ulur asnjë çmim energjie”, tha ministri Ahmetaj.