Për herë të parë në Kodin Penal ndëshkimi me burg për atë që fut ose mban celular në qeli

0
811

burgjet1 deri në 3 vite burg do të dënohet çdo punonjës apo drejtues institucioni dhe i dënuar nëse  fut apo kapet me celular në burg. Kodi Penal për herë të parë forcohet në këtë pikë. Nisma e Ministrisë së Drejtësisë 6 muaj më parë merr tashmë formë përfundimtare në Kodin Penal dhe botohet në fletoren zyrtare

Alma Çuka

Kush fut një celular në burg apo kush kapet me një të tillë do të dënohet nga 1 deri në 3 vite burg. Por kush e përsërit një veprim të tillë dhe në bashkëpunim me policinë apo drejtuesite burgut dënimi do të jetë nga 5 deri në 10 vite burg. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal ku parashikohet forcimi i ligjit për sendet e ndaluara në burg sipas  Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pritet të minimizojë korrupsionin në këtë sistem.  Në 25 vite demokraci të dënuarit  kanë bërë ligjin nga qelitë e tyre. Janë porositur vrasje, drejtoheshin organizata të trafikut të drogës, organizata terroriste  dhe shumë krime të tjera. Dhe kjo,  falë aksesit të tyre për të futur aparate celular sa herë që e kishin të nevojshme.  Ishte bërë e modës që të gjithë të dënuarit, madje dhe të paraburgosurt, ku mendohej se masat e sigurisë ishin më të rrepta, të mbanin celular, madje shkelja shkonte më tej, kur ky send i ndaluar futej nga vet drejtuesit e institucioneve dhe nga efektivët e policisë së burgjeve. Futja e një aparati në burg nuk  ndëshkonte asnjë. Për çdo muaj Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizonte kontrolle rutinë në çdo institucion të vuajtjes së dënimit. Por jo në të gjitha rastet sendet e ndaluara që janë gjendur raportoheshin në media. Raportoheshin vetëm disa raste kur drejtoria e shihte të nevojshme. Por në asnjë rast nuk merreshin masa për personat që fusnin sendet e ndaluara në burgje.  Këtij fenomeni tashmë është menduar t’i thuhet stop. Por sa do të jetë e mundur. Nga dita e djeshme ka hyrë në fuqi Kodi Penal me disa shtesa dhe ndryshime pikërisht në nenin 234/a ku pritet t’i thuhet “stop” korrupsionit në burgje. Po sa do të jetë e mundur të funksionojë?

Forcimi i Kodit Penal

Për herë të parë në këto 25 vite Kodi Penal do të ketë të përfshirë në një prej kapitujve të tij edhe një nen i cili parashikon dënim për të dënuarin, paraburgosurin ose punonjësin e policisë a drejtuesin e institucionit, i cili mban dhe fut një aparat celular në qeli. Neni 234/a parashikon një dënim nga 1 deri në 3 vite burg për çdo të dënuar që kapet me celular. Ky dënim është i vlefshëm edhe për drejtuesit e institucionit apo efektivët e policisë, të cilët kanë për qëllim mbajtjen të pastër të institucionit. Por kjo masë dënimi forcohet kur kjo vepër tashmë e ndaluar kryhet në bashkëpunim me drejtuesit e institucionit penitenciar.  Janë 23 institucioni të vuajtjes së dënimit në vend. Çdo muaj në të gjitha këto institucione kryhen kontrolle të imtësishme dhe pa paralajmërim. Vihet në dispozicion një grupë i posaçëm, i cili bënë kontroll të të gjitha qelive. Jo në pak raste grupi i gatshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve janë vënë përballë presioneve të të dënuarve dhe paraburgosurve.

Sendet e ndaluara ishin kthyer në biznes

Pak kohë më parë futja e një aparati celular në qelitë e të dënuarve ishte kthyer në biznes. Të gjithë e dinë, madje edhe vet drejtuesit që të dënuarit dhe paraburgosurit, nuk mund të mbanin celular në rast se nuk kishin lejen e drejtuesit të institucionit, apo punonjësit të sigurisë së brendshme në burg. Futja e një sendi të ndaluar, në këtë rast celular bëhej gjithmonë  nën dijeninë e eprorëve dhe kundrejt një pagese të caktuar. Madje ka pasur raste të cilat edhe janë publikuar, kur të dënuarit janë pajisur me sende të ndaluara dhe një ditë më pas është future grupi i gatshëm për kontroll. Janë vetë të dënuarit dhe paraburgosur që jo në pak raste janë shprehur për mediat se paguajnë policinë dhe drejtorin e burgut për futjen e një aparati në qeli. Madje edhe kartat e telefonit që ndryshohen futen nga drejtuesit e institucionit. Çdo gjë kalon përmes tij. Duket se shtimi i nenit 234 /a në Kodin Penal do të parandalojë disi vrrulin e futjes së sendeve të ndaluara në burgje.  Janë shkarkuar dhjetëra drejtorë burgu, dhjetëra punonjës policie me argumentin se kanë bashkëpunuar me të dënuarit. Porn ë asnjë rast nuk është dënuar kush. Të dënuarit dhe paraburgosur që kundërshtonin kontrollin në qeli e shumta futeshin në izolim për 24 ose 48 orë. Por përsëri askush nuk është dënuar.

Dënim i dytë

Në rast se ndryshimi i fundit në Kodin Penal do të jap rezultat, atherë të dënuarit për vepra të ndryshme penale, përveç masës së dënimit të parë, do të duhet të vuajnë edhe një dënim të dytë, për mbajtje të sendeve të ndaluara në burg, që varion nga 1 deri në 3 vite burg. Por ky dënim bëhet edhe më i ashpër kur kjo vepër penale do të vërtetohet se kryhet në bashkëpunim me punonjësit e policisë apo drejtuesit e institucionit të vuajtjes së dënimit.

6 muaj punë për të ndryshuar Kodin

Për të hartuar projektligjin lidhur me pastrimin e burgjeve nga sendet e ndaluara, Ministrisë së brendshme I është dashur 6 muaj punë.  Drafti është punuar në bashkëpunim me ekspertët e Drejtorisë së përgjithshme të Burgjeve. Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të iniciativës ligjore të nisur nga Ministria e Drejtësisë rreth 6 muaj më parë, është miratuar dhe tashmë botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 249, datë 14.01.2015 ndryshimi i Kodit Penal, i cili përfshin edhe veprën penale të futjes së sendeve të ndaluara në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Ky ndryshim ligjor hyri dje në fuqi dhe gjen shtrirje në të 23 institucionet e sistemit të burgjeve në Shqipëri. Parandalimi i dukurisë problematike të futjes së sendeve të ndaluara në regjimin e vuajtjes së dënimeve, në veçanti i telefonave celularë, ka qenë një sfidë në veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Kjo është bërë edhe më e vështirë kur punonjës të sigurisë apo stafit civil kanë qenë të përfshirë jo vetëm në krijimin e rrjeteve korruptuese, por edhe në bashkëpunimin që ata kanë patur me të paraburgosurit dhe të dënuarit për të futur në qeli dhe më pas shitur këta telefona celularë në vlera monetare të konsiderueshme. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bënë me dije se u pa e domosdoshme ndërmarrja e iniciativës ligjore  për të kriminalizuar këtë veprimtari, duke propozuar hartimin dhe përfshirjen e një neni të veçantë në Kodin Penal. Konkretisht, në Ligjin Nr. 135, datë 05.12.2015, “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 7895, datë 27.01.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, është shtuar neni 324/a i Kodit Penal, në Kreun IX “Vepra penale kundër drejtësisë”, me këtë përmbajtje: “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve me burgim, të cilat sipas legjislacionit në fuqi janë të ndaluara, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose nga personi që ka për detyrë ruajtjen dhe sigurinë fizike ose që për shkak të detyrës ose profesionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi, dënohet me burgim nga pesë vjet deri në dhjetë vjet”.

Shkresa për të gjitha institucionet

Por sa janë të informuar drejtuesit e institucioneve penitenciare dhe efektivët e policisë  si dhe të dënuarit e paraburgosurit me këtë ndryshim të Kodit Penal. Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve i është dashur që paralelisht me punën që bëhej për forcimin e ligjit, të hartoheshin rregullore dhe shkresa të veçanta . Janë ndërmarrë disa hapa administrativë, si shkresa zyrtare drejtuar IEV Penale dhe mbledhje pune me stafet ligjore dhe drejtuesit e IEV Penale, për të njohur punonjësit dhe personat me liri të kufizuar me parashikimet e këtij neni dhe pasojat e konsumimit të kësaj vepre penale. Nga ana proceduriale, për çdo rast të kapjes së telefonave celularë do të informohet Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore.

Nën hetim të dënuar, policë dhe drejtues

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pas çdo sinjalizimi për sende të ndaluara në burgje do të nis hetimin paraprak.  Para se të nis procedimi penal, fillimisht do të merret në pyetje i dënuari apo i paraburgosuri  për lidhjet e tij të mundshme me jashtë.  Tashmë dihet dhe është e provuar se në asnjë rast familjarët e të dënuarve nuk mund të fusin sende të ndaluara në burg, pa dijeninë e drejtuesve apo dhe punonjsve të policisë . Janë këta që drejtojnë çdo gjë. Prej disa vitesh në të gjitha institucionet kryhet kontroll i imtësishëm i ushqimëve dhe veshmbathjeve që familjarët fusin për të afërmit e tyre. Janë gjetur drogë në kutitë e kosit, thika në mes të qengjit të pjekur, celular në kutitë e gjalpit e djathit. Por këto janë raste të rralla. Sepse në të shumtën e rasteve të dënuarit e kanë gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit e institucioneve. Për çdo celular që futej në burg jepej një shumë parash. Ndërkohë dihet gjithashtu se jo të gjithë të dënuarit kanë privilegjin të kenë celular. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vlerëson, se një hap i tillë ligjor vjen në një moment të rëndësishëm të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve, kur janë ndërmarrë disa iniciativa të mëparshme administrative për të zvogëluar fenomenin.

 

 

Kontrollet në një vit, për 2014 u kapën 1122 celularë u shkarkuan 370 policë

U kapën drogë, thika të improvizuara, fishekë, karikues telefoni, karta telefoni. Të gjitha këto gjatë 4004 kontrolleve të ushtruara. Drejtuesit e institucioneve nuk patën asnjë problem. Të gjithë peshën e fajita e mbajtën policët e turnit

Drejtoria e Burgjeve në çdo fillim viti zhvillon analizën vjetore të punës. Për vitin 2015 ende nuk është kryer një analizë e thelluar. Ndërkohë që shifrat e vitit 2014 tregojnë për një mori të shumtë të sendeve të ndaluara që janë kapur gjatë kryerjes së kontrolleve rutinë dhe ato të planifikuara. Bëhet editor se për vitin 2014 janë kryer 4004 kontrolle për sendet e ndaluara në burgje, nga shefat e policisë, shefat e regjimeve dhe drejtoria e policisë së burgjeve. Janë kapur 1453 sende të ndaluara, nga të cilat thika të improvizuara dhe kaçavida 145 copë, lëndë narkotike në 35 raste, celularë 1122 copë, fishekë në 4 raste, 71 karikues telefoni, 86 karta telefoni. Kontrollet sipas drejtorisë së burgjeve janë bërë pa mjetet e duhura të kërkimit. Ndërkohë që më herët u tha se do të blihen dy skaner për të bërë të mundur gjetjen e lëndës narkotike dhe të metaleve që mund të fshihen me mënyra të specializuara nga të dënuarit. Drejtuesit e burgjeve kanë shprehur gjithmonë shqetësimin se pavarësisht përpjekjeve për të pastruar institucionet e vuajtjes së dënimit nga sendet e ndaluara, situate në një vit nuk paraqitej si duhet. Janë marrë edhe masa për largimin nga puna të punonjësve të policisë. Për vitin 2014 raportohen se u larguan nga detyra 370 efektivë si pasojë e bashkëpunimit të tyre me të dënuarit.  Porn ë asnjë rast nuk raportohet se u largua drejtuesi i burgut si pasojë e marrjes së ryshfetit.

Si veprohej nga burgjet për celularët e kapur

Për të gjitha sendet e gjetura në qelitë e të dënuarve mbahej një procesverbal. Efektivët e grupit të gatshëm që kontrollojnë dhomat ia dorëzojnë celularët titullarit të tyre. Ky i fundit përmes një procesverbali të hollësishëm i dorëzon celularët dhe sendet e tjera, si thika, hanxharë, karta telefoni,  doreza tek Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Burime të besueshme nga burgjet bëjnë me dije se të gjithë këto aparate shiteshin më pas dhe të ardhurat  kalonin për llogari të këtij institucioni. Por ajo që vlen për tu përmendur është fakti se asnjëherë shitja e këtyre aparateve që në të shumtën e rasteve ishin të shtrenjtë nuk bëhej me ankand. Askush nuk e ka mësuar ndonjëherë mënyrën se si shiteshin sendet e ndaluara që çdo muaj u kapeshin të dënuarve në qeli. Por një gjë është e vërtetë. Pas çdo të dënuari qëndron një efektiv policie, apo një drejtues.  Por forcimi i ligjit në këtë pikë, duket se do të prekë vetëm të dënuarit dhe paraburgosurit, ndërkohë që  drejtuesit do të gjejnë sërish mundësinë për të mos u përballur me këtë ligj. Burgjet jo në pak raste kanë shërbyer si burim të ardhurash të shumta për drejtuesit. Ministria e Drejtësisë e ka ditur shumë mirë këtë fakt. Shpesh janë ndryshuar dhe rregulloret.

 

“Neni 324/a

Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve

me burgim

Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, të cilat, sipas legjislacionit në fuqi, janë të ndaluara, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.

Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose nga personi që ka për detyrë ruajtjen dhe sigurinë fizike ose që për shkak të detyrës ose profesionit ka të drejtë të hyjë në institucione burgimi, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.”.