Vrasja e Gazmend Çollakut,Ish-shefi i krimit ekonomik Tiranë i dyshuar për përfshirje në krim, arrestohet Denis Shtraza

0
308

gaziProkuroria e Krimeve të Rënda drejt zbardhjes së rrëmbimit e më tej vrasjes së Gazmend Çollakut. Ky i fundit u rrëmbye në 6 janar në Durrës dhe u gjet i vrarë një ditë më pas në Fushë Krujë. Denis Shtraza po tentonte të largohej nga vendi. Lëshohet urdhër arresti për ish-shefin e krimit ekonomik Ervin Dalipi. 

Alma Çuka

Vrasja e Gazmend Çollakut  duket se po shkon drejt zbardhjes. Prokuroria e Krimeve të rënda njofton se ka lëshuar urdhër arresti dhe është bërë i mundur ndalimi i një personi, ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim. Bëhet e ditur se mbrëmjen e 28 janarit në Aeroportin e Rinasit është vënë në pranga shtetasi Denis Shtraza, një personazh I botës së krimit dhe mik I Emiliano Shullazit. Shtraza dyshohet se ka marrë pjesë në rrëmbimin e më pas vrasjen e shtetasit Gazmend Çollaku në fillim të këtij viti. Por prokurori bënë gjithashtu me dije se ka marrë leje nga gjykata për të ndaluar një tjetër shtetas. Bëhet fjalë për shtetasin Ervin Dalipi, ish-shef i krimit ekonomik në Tiranë.  Të dy janë të dyshuar sit ë përfshirë në krimin e rëndë të ndodhur në 6 janar në Durrës dhe që përundoi me vrasjen Çollakut në 7 janar.

Hetimi

Nga veprimet hetimore të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se: Në dt. 07.01.2016 është gjetur në zonën e Fushë-Krujës trupi i pajetë i shtetasit Çollaku. Ky i fundit ishte rrëmbyer një ditë më parë në qendër të Durrësit nga disa persona, të veshur me simbole policie. Sapo ka marrë njoftimin për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka zhvilluar kontrolle për personat e dyshuar. Ndër këto veprime, është ndaluar dhe kontrolluar mjeti tip ML, i cili drejtohej nga shtetasi Denis Shtraza dhe që shoqërohej nga një person tjetër   që në këtë rast është identifikuar si Ervin Dalipi. Gjatë kontrollit të mjetit, dy personave u janë gjetur disa celularë të fikur. Nga kjo e dhënë, policia ka krijuar dyshime dhe ka vendosur bllokimin e përkohshëm të mjetit, ndërkohë që dy personat e shoqëruar janë lënë përkohësisht të lirë. Ndërkohë, nga veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndër të tjera, është bërë edhe kqyrja e kufomës dhe është urdhëruar ekspertiza. Nga të dhënat shkencore, në fashat plastike me të cilat ishte lidhur viktima, u gjetën disa gjurmë gjaku, të cilat nuk i përkisnin viktimës, por që kishin vlera identifikuese. Viktima dyshohet se ka patur lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor pranë hyrjes së Portit të Durrësit.  Autorët që e morën peng ishin të veshur me  uniforma policie dhe banorët përreth vendit të ngjarjes besuan se kishin të bënin me një arrestim.

Urdhër ndalimi për Dalipin

Policia njoftoi se personi tjetër i shpallur në kërkim është Ervin Dalipaj, 37 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit gjykata ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg.  Deri më 1 dhjetor 2013, Dalipaj ka qenë oficer Policie në funksione të ndryshme në Elbasan dhe Tiranë, në SHKB, dhe vitet e fundit Shef Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë Tiranë me gradën Komisar. Përjashtimi i tij nga radhët e policisë është bërë për dekonspirimin e operacionit për lojërat e fatit. Dyshimet e prokurorisë dhe policisë së shtetit u përforcuan kur gjatë kontrollit të mjetit tip “ML”, që drejtohej nga shtetasi Shtraza, dy personave u janë gjetur disa celularë të fikur. Policia bllokoi mjetin dhe dy personat e shoqëruar i la përkohësisht të lirë.
Kush është Denis Shtraza

Shtraza, 33 vjec, i ndaluar në aeroportin e Rinasit pasi po hetohet për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut 6 janar 2016 në Durrës, është një personazh shumë i njohur për policinë.
Ai i ka shpëtuar disa atentateve në të shkuarën. Ka qenë autor i disa ngjarjeve. Për të ende nuk ka një akuzë zyrtare. Grupi kriminal ku ka bërë pjesë Shtraza ka vepruar në Durrës e Tiranë.

Atentati në Durrës në 2013

Denis Shtraza është qëlluar mbrëmjen e dates 4 shkurt 2013 me armë zjarri pranë një lokali në Durrës gjatë kohës që po qëndronte me një shok. Ngjarja ka ndodhur në sheshin ‘Taulantia’.
Ai është transportuar nga kalimtarë të rastit menjëherë drejt spitalit rajonal të Durrësit, por për shkak të gjendjes së tij të rëndë, pasi mori dy plumba në trup është dërguar në Spitalin Ushtarak.
Në vitin 2009 Denis Shtraza u ekstradua nga Gjermania ku dhe u arrestua pasi ishte i kërkuar për dy plagosje me armë zjarri në qytetin e Durrësit. Shtraza njihet si mik i nje personazhi shume te njohur për policinë në Tiranë.

 Ekstradimi nga Gjermania

Në prill 2009, forcat e policisë së Durrësit në bashkëpunim me strukturat e policisë së shtetit dhe të Interpol Tirana kanë mundur të venë para drejtësisë Denis Shtrazen, të kërkuar për plagosje dhe tentativë vrasjeje, i cili kishte mundur të fshihej në Gjermani për disa muaj.
Sipas policisë, Denis Shtraza ishte bashkëpunëtor në plagosjen e shtetasit Llazar Zoto, ngjarje e 11 muajve më parë, ndërsa mëngjesin e 20 shtatorit të vitit të kaluar pas një konflikti me motive të dobëta ka qëlluar me pistoletë mbi shtetasin Hektor Kollçaku, duke i shkaktuar plagë të rënda. Ngjarjet kanë ndodhur në kohë të ndryshme në dy lokale të qytetit bregdetar.Burimet shtuan se Gjykata e Durrësit ka marrë masën e arrestit në mungësë për Shtrazën më 1 dhjetor të vitit 2008, ndërsa kapja dhe ekstradimi i tij nga Gjermania u bë i mundur një vit më vonë.