Në 19-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, udhëheqës të institucioneve dhe të partive politike të Kosovës kanë bërë homazhe përpara shtatores së Zahir Pajazitit, në Prishtinë.
Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së vlerësoi Zahir Pajazitin, si njërin nga motorët e veprimtarive operative në të gjithë vendin.
“Si kryetar i Kuvendit, veçanërisht si bashkëluftëtar i këtyre trimave, ndihem jashtëzakonisht i nderuar dhe krenar, që Kosova po ecën drejt forcimit të shtetësisë. Në të njëjtën kohë, me detyrime shumë të mëdha, veçanërisht me amanetin e tyre për përjetësimin e idealeve të këtyre dëshmorëve”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se, duke parë zhvillimet politike të pasluftës në Kosovë, vepra dhe sakrifica e dëshmorëve na kujton për detyrën tonë, që të ecim drejt rrugës që kanë nisur ata.
“UÇK-ja nuk ka luftuar për Zajednicën, nuk ka luftuar për të kthyer Serbinë në Kosovë, nuk ka luftuar për korrupsion dhe uzurpim, por ka luftuar që popullit t’i japë liri, barazi dhe mirëqenie”, tha Visar Ymeri, kryetar i VV-së.
Për të nderuar dëshmorët e kombit, homazhe kanë bërë edhe qytetarë të shumtë. Gjithashtu, nën patronazhin e kryeministrit është organizuar edhe një akademi përkujtimore, ku në emër të familjarëve, Bajram Zejnullahu u ka bërë thirrje për bashkim krerëve politikë.