Shqipëria një nga vendet me borxhin më të lartë në rajon

0
170

borxhViti i kaluar shënoi një precedent në tregun financiar. Për herë të parë, qeveria jo vetëm që nuk mori borxh të ri në tregun e brendshëm, por u shleu bankave dhe individëve mbi 17 miliardë lekë, duke e orientuar të gjithë huamarrjen jashtë.
“Ne donim që të tërhiqeshim nga tregu i brendshëm duke kaluar në instrumente ndërkombëtare, për të krijuar më shumë hapësira për tregun e brendshëm, bankat e bizneset, për rritjen e huamarrjes”, tha Erjon Luçi.

Sipas Luçit, veç presionit pozitiv mbi bankat për të dhënë kredi te biznesi, tërheqja e qeverisë nga huamarrja e brendshme ka dhe një qëllim tjetër.

“Për të zgjatur edhe më shumë jetëgjatësinë e borxhit dhe për të ulur edhe më tepër rrezikun e rifinancimit dhe normave të interesit”, tha më tej Luçi.

Borxhi publik u rrit nga 62.1 për qind në vitin 2012, në 73.65 për qind vitin e kaluar, për shkak edhe të shlyerjes së deyrimeve të prapambetura. Por për qeverinë, financat publike tani janë më të qëndrueshme.

“Borxhi është vendosur në një trajektore shumë më të kontrollueshme në rënie, sesa ka qenë vitet e kaluara, që me një parashikim pa politikat e ndërmarra ndërkohë, mund të ishte edhe 75 apo 80 për qind”, deklaroi Luçi.

Sipas Luçit, ky pretendim vjen jo vetëm nga rritja e afatit të borxhit, por edhe vënia nën kontroll e risqeve.

“Duke filluar nga pensionet, energjia dhe së fundi edhe pronat, që janë një pjesë e rëndësishme e presioneve fiskale, shumica janë nën kontroll”, shpjegoi më tej Erjon Luçi.

Bashkë me Serbinë, Shqipëria është një nga vendet me borxhin më të lartë ndër ekonomitë në zhvillim të rajonit.